Protesta e 14-të radhazi në kryeqytet po vijon me marshimin e qytetarëve drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pas ndalesave të mëparshme para Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Protestuesit, të cilët u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë, marshuan më pas drejt Parlamentit, ku shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj institucioneve dhe klasës politike. Pas qëndrimit për disa minuta para Kuvendit, turma ka vijuar lëvizjen drejt Drejtorisë së Policisë.
Gjatë marshimit janë dëgjuar vazhdimisht thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Bashkohuni me ne”, slogane që kanë shoqëruar protestën që nga nisja e saj. Në duart e protestuesve janë parë pankarta me mesazhe politike, si dhe flamuj kombëtarë e flamuj të vendeve ku jeton diaspora shqiptare.
Pjesëmarrësit deklarojnë se marshimi në institucionet kryesore të vendit synon të përcjellë mesazhin e tyre për më shumë drejtësi, transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Ndërkohë, forca të shumta policie janë vendosur përgjatë itinerarit për të garantuar rendin dhe sigurinë.
Lini një Përgjigje