Pas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për vendosjen në masën “arrest në shtëpi” të efektivit të Policisë së Sarandës, Ajdin Islamaj, ka reaguar publikisht babai i tij, Gani Islamaj, pronari i objektit që është bërë pjesë e hetimit.
Në një deklaratë të gjatë publike, Islamaj mohon kategorikisht akuzat për ndërtim pa leje dhe pretendon se prona në fjalë disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të miratuar nga institucionet përkatëse.
“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se pretendimet e ngritura nga AMP dhe Prokuroria janë të pavërteta dhe krijojnë një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit juridik dhe faktik. Këto pretendime, sipas bindjes sime, bëhen me qëllim për të rënduar artificialisht çështjen në dëm të djalit tim, Ajdin Islamaj, i cili është arrestuar në mënyrë të padrejtë dhe mbi bazën e një skenari të ndërtuar nga prokurorët e çështjes”, shprehet ai.
Sipas Gani Islamajt, objekti trekatësh në Sarandë është pronë e tij dhe është i pajisur me dokumentacion të rregullt pronësie dhe ndërtimi.
“Objekti 3-katësh në Sarandë është pronë e imja, e dokumentuar me dy certifikata pronësie. Për pjesën që pretendohet si ndërtim pa leje, unë disponoj Leje Zhvillimi dhe Leje Ndërtimi, të miratuara nga Bashkia Sarandë. Për këtë arsye deklaroj qartë se në këtë objekt nuk ka asnjë metër ndërtim pa leje”, thuhet në reagimin e tij.
Ai kundërshton gjithashtu pretendimet e AMP-së se objekti është ndërtuar në kundërshtim me ligjin, duke theksuar se hoteli është i regjistruar dhe funksionon normalisht.
“Hoteli është i regjistruar rregullisht, disponon NIPT aktiv, si dhe markë tregtare të regjistruar. Ai funksionon në përputhje me ligjin dhe rregullat përkatëse. Për këtë arsye, për transparencë të plotë, do të bëj publike dokumentacionin përkatës, përfshirë Lejen e Ndërtimit, Lejen e Zhvillimit, certifikatat e pronësisë, NIPT-in dhe dokumentet e tjera ligjore”, deklaron Islamaj.
Në deklaratën e tij, ai ngre akuza edhe ndaj mënyrës së zhvillimit të hetimeve, duke pretenduar se në pronën e tij janë kryer kontrolle pa u njoftuar si pronar.
“Dua të bëj publike se në pronën time janë kryer tre kontrolle banese, pa marrë unë asnjë njoftim si pronar. Punonjës të AMP-së kanë hyrë në pronën time mbi bazën e urdhrave verbalë të prokurorëve, në shkelje të të drejtave të mia si pronar dhe në kundërshtim me garancitë ligjore që mbrojnë paprekshmërinë e banesës dhe pronës private”, shprehet ai.
Në fund të reagimit, Gani Islamaj i bën thirrje AMP-së dhe Prokurorisë të ndalojnë, sipas tij, publikimin e të dhënave të pavërteta dhe paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e interesave të tij.
“Unë do të ndjek çdo rrugë ligjore për të mbrojtur dinjitetin tim, pronën time dhe të vërtetën”, përfundon deklarata e tij.
Më herët, AMP njoftoi se nga hetimet dhe ekspertiza teknike kishte rezultuar se në objektin ku banon efektivi Ajdin Islamaj ishte ndërtuar pa leje një kat shtesë dhe ishin kryer ndërhyrje të tjera me qëllim përshtatjen e godinës për aktivitet hotelerie, pretendime që tashmë kundërshtohen nga pronari i objektit.
Lini një Përgjigje