TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Korrik 2026, 13:02

“Nuk frymëzon më”, BBC: "Revolucioni i Flamingove" kthehet në revoltë kundër Ramës

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk frymëzon më”, BBC: "Revolucioni i
Pankartat në protestat kundër Ramës

Nga një protestë për mbrojtjen e Lagunës së Nartës, demonstratat janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë, ku qytetarët ngrenë shqetësime për arsimin, shëndetësinë, ekonominë dhe mënyrën e qeverisjes.

Protestat që fillimisht nisën për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz pranë Lagunës së Nartës janë shndërruar në një lëvizje kombëtare që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Flamingot, shpendët migratorë që popullojnë Lagunën e Nartës pranë Vlorës, janë bërë simboli i protestave të përnatshme përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë.

Kundërshtimet lidhen me planet për zhvillimin e një resorti luksoz nga një grup investitorësh ndërkombëtarë, ku përfshihet edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Qeveria shqiptare u ka dhënë investitorëve statusin e "investitorit strategjik", megjithëse ende nuk është miratuar leja e ndërtimit dhe procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis nuk ka nisur, sipas qeverisë. Megjithatë, në zonë janë parë rrethime dhe mjete të rënda ndërtimi.

“Nuk frymëzon më”, BBC: "Revolucioni i

Protestat lokale morën përmasa kombëtare pasi në rrjetet sociale u publikua një video ku shfaqeshin roje private duke dhunuar një protestues. Kryeministri Rama e ka konfirmuar se incidenti ka ndodhur.

Që prej atëherë, pakënaqësia është zgjeruar përtej çështjeve mjedisore. Protestuesit kërkojnë përmirësim të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, vendeve të punës dhe standardit të jetesës.

"Jam këtu për shkollat tona, për spitalet tona, për infrastrukturën dhe për familjen time që jeton jashtë Shqipërisë. Mbi të gjitha jam këtu sepse dua të jetoj në vendin tim dhe nuk dua të largohem," tha për BBC protestuesja Helena.

Partia Socialiste dhe Edi Rama janë në pushtet prej 13 vitesh. Gjatë kësaj periudhe, Tirana ka ndryshuar ndjeshëm me ndërtimin e shumë kullave të projektuara nga arkitektë ndërkombëtarë, ndërsa turizmi është kthyer në një nga sektorët kryesorë të ekonomisë, duke kontribuar me mbi një të pestën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Nuk frymëzon më”, BBC: "Revolucioni i

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, të hapura në vitin 2022, po ecin me ritme të shpejta dhe vendi synon t'i përfundojë ato deri në fund të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, këto arritje nuk bindin të gjithë.

Shkrimtari dhe aktivisti për të drejtat e njeriut Fatos Lubonja pretendon se qeveria mbështetet nga "oligarkët, krimi i organizuar, media dhe aktorë ndërkombëtarë të korruptuar", ndërsa bumit të ndërtimeve në Tiranë i atribuon pastrim parash.

"Ne duam që drejtësia të hetojë. Kur sheh gjithë këto rrokaqiej, krijohet përshtypja se bëhet fjalë për një plan të krimit të organizuar, oligarkëve dhe funksionarëve të shtetit," deklaroi ai për BBC.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama i cilëson protestat si shenjë të funksionimit të një shoqërie demokratike.

Lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj disa bashkëpunëtorëve të tij të afërt, Rama theksoi se mbështet një sistem drejtësie të pavarur.

"Që në ditën e parë kam kërkuar një drejtësi që nuk sheh majtas apo djathtas, por vetëm drejt. Një drejtësi që nuk blihet, nuk shantazhohet dhe nuk kontrollohet nga askush," u shpreh ai.

Ndërkohë, deputetja më e re e Kuvendit, Majana Koçeku, e cila ishte përzgjedhur nga vetë Rama si kandidate pas angazhimit të saj në çështjet mjedisore, ka vendosur të largohet nga Partia Socialiste.

“Nuk frymëzon më”, BBC: "Revolucioni i

Ajo tha se nuk mund të vazhdonte "të duartrokiste qeverinë duke bërë sikur nuk po ndodh asgjë" dhe vlerësoi se kryeministri "nuk frymëzon më njerëzit", duke shtuar se kjo ka sjellë një krizë legjitimiteti.

Sipas BBC-së, aktualisht palët mbeten në një ngërç politik. Protestuesit deklarojnë se do të vazhdojnë demonstratat, ndërsa kryeministri Rama nuk ka dhënë sinjale për tërheqje. Për pasojë, flamingot pritet të mbeten simboli i protestave në rrugët e Tiranës. /Përshtati Pamfleti nga BBC/

 

rama protesta bbc

1 Komente

  1. T
    Tony

    Shqiperia ka mberritur ne ate gjendje, 'bir Selman i Nenes c'te te qaj me pare'.

    Lini një Përgjigje