TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Qershor 2026, 17:15

Protestat, qeveria rishikon ligjin për investimet; asnjë tërheqje për Sazanin dhe Zvërnecin

Shkruar nga Pamfleti
Protestat, qeveria rishikon ligjin për investimet; asnjë tërheqje
Delina Ibrahimaj

Qeveria do të nisë brenda kësaj vere konsultimin publik për ligjin e ri të investimeve strategjike, i cili pritet të zëvendësojë ligjin aktual që skadon në fund të këtij viti. Pra një lloj tërheqje pas protestave masive.

Sipas ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, akti i ri do të hartohet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe do të synojë krijimin e një kuadri të ri për tërheqjen e investimeve.

"Kemi marrë përsipër që brenda këtij viti të miratojmë ligjin e ri për investimet. Ne po bëjmë një analizë për të gjitha vendet e BE-së mbi stimujt që ato kanë, me qëllim tërheqjen e investimeve në vendet e tyre. Brenda verës do të fillojmë një proces konsultimi për ligjin e ri për investimet, sipas standardeve të BE-së, si dhe për tërheqjen e investimeve në zonat e disavantazhuara", tha Ibrahimaj.

Duke folur për projektet në Sazan dhe Zvërnec, ministrja sqaroi se për ishullin e Sazanit shteti shqiptar synon të jetë bashkëinvestitor dhe bashkëpronar, ndërsa negociatat me kompaninë zhvilluese janë ende në proces.

"Kemi filluar punën për zhvillimin e zonës së Sazanit. Është një ishull që do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar. Në atë projekt, shteti shqiptar do të përfshihet si bashkëinvestitor dhe bashkëpronar. Jemi duke negociuar me kompaninë për sa i përket përqindjes që shteti do të ketë në zhvillimin e projektit. Sapo të kemi një pasqyrë të qartë, gjithçka do të bëhet transparente", u shpreh ajo.

Sa i përket projektit në Zvërnec, Ibrahimaj theksoi se ai ndodhet ende në fazën e hartimit dhe nuk ka një variant përfundimtar.

"Ende nuk kemi një projekt për Zvërnecin. Po punohet nga arkitektë dhe ekspertë të mjedisit për të hartuar një projekt që do të përmbushë standardet e BE-së për sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe që do të bëjë të mundur realizimin e investimit më të madh që kemi pasur në turizëm, në nivelin e 4 miliardë eurove", deklaroi ministrja, duke shtuar se një investim i tillë do të ishte një nxitje e rëndësishme për ekonominë shqiptare.

Në konferencë, Ibrahimaj u ndal edhe te situata ekonomike dhe tha se qeveria do të vijojë të monitorojë ecurinë e çmimeve, duke garantuar mbështetje për pensionistët dhe shtresat në nevojë nëse inflacioni do të rritet.

"Indeksimi i pensioneve nuk do të bëhet më në tetor, por në korrik. Sot inflacioni është në nivelin 3% dhe nuk gjykohet se jemi në kushtet kur rritja e çmimeve është e papërballueshme. Por, kur të vlerësojmë se ka një rritje të çmimeve përtej asaj që mund të përballojnë pensionistët ose shtresat në nevojë, ne do të jemi aty për të marrë masat e nevojshme dhe për t'i mbështetur", tha ajo.

Ministrja e Ekonomisë e cilësoi situatën ekonomike të vendit si të qëndrueshme, duke theksuar se rritja vijon të jetë mbi pritshmëritë.

delina ibrahimaj protesta

Lini një Përgjigje