TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Qershor 2026, 14:40

Tabaku sulmon Ramën: Po rikthen metodat e Sigurimit, po përdor biografitë e protestuesve për linçim publik

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku sulmon Ramën: Po rikthen metodat e Sigurimit, po përdor
Jorida Tabaku dhe Edi Rama

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit publikoi në Facebook foton e Edviol Kullurit, një prej 13 nismëtarëve që firmosën letrën drejtuar ambasadave me pesë kërkesa për qeverinë, të shoqëruar me një listë procedimesh penale ndaj tij.

Në një reagim të titulluar "Njolla të Murrme" në Facebook, Tabaku akuzon Ramën se ka nisur një fushatë përndjekjeje ndaj qytetarëve që protestojnë kundër qeverisë, duke përdorur, sipas saj, metoda që i krahason me ato të ish-Sigurimit të Shtetit.

Sipas deputetes demokrate, kryeministri po mbledh dhe publikon të dhëna për kundërshtarët e tij politikë për t'i ekspozuar publikisht, ndërsa pretendon se institucionet shtetërore po përdoren për qëllime politike dhe për të mbrojtur pushtetin.

Tabaku shprehet se Rama ka heshtur përballë aferave të korrupsionit dhe rasteve kur zyrtarë të lartë të qeverisë janë hetuar apo arrestuar, ndërsa, sipas saj, ka zgjedhur të sulmojë qytetarët që protestojnë.

Deputetja e PD-së i cilëson protestuesit si qytetarë që kërkojnë dinjitet, drejtësi dhe një shtet funksional, duke shtuar se "fletërrufetë digjitale" dhe linçimi publik nuk do ta shpëtojnë qeverinë, por tregojnë frikën e saj përballë kundërshtarëve.

Postimi i plotë i Tabakut:

Njolla të Murrme!
Prej ditësh, njeriu kyç i një sistemi autokratik, të lidhur me paranë e pistë dhe ekonominë e kapur, ka nisur një fushatë përndjekjeje ndaj qytetarëve që protestojnë përballë tij.
Duke ndjekur pikë për pikë metodat e Sigurimit, Kryeministri mbledh biografitë e atyre që nuk i pëlqejnë dhe, me një lupë të stërmadhe, kërkon t’u gjejë njolla në jetë dhe në CV.
Kjo nuk është thjesht sjellje e turpshme personale. Është metoda e një shteti të kapur: institucionet mbledhin të dhënat e qytetarëve, ndërsa pushteti i përdor ato për të mbrojtur njeriun-sistem. Të dhënat nga gjendja civile, administrata dhe institucionet kthehen në armë politike. Më pas vijnë kërcënimet ndaj të afërmve dhe ekspozimi publik i qytetarit si tabelë qitjeje në faqen e Kryeministrit.
Ky është i njëjti njeri-sistem që bën sikur nuk di asgjë për korrupsionin në vend. Kur një ish-zëvendëskryeministër u shpall në kërkim, ai nuk dinte gjë. Kur u arrestua një ish-ministër, nuk dinte gjë. Kur u arrestua një kryetar bashkie, përsëri nuk dinte gjë.
Për çdo skandal, ruante maskën. Sistemi duhej të fshihej, ndërsa individi i radhës shpallej kurban.
Sot, kur rrezikohet vetë koka e sistemit, maska ka rënë. Kryeministri po rikthen skenarët e Njollave të Murrme: biografi, përndjekje, turpërim publik dhe kërcënim ndaj kujtdo që guxon të ngrejë zërin.
Ndërkohë, SPAK po heton pushtetarë të përfshirë në tregtinë e pronave. Qeveria ka miratuar vendime për prona në favor të personave të inkriminuar, ka ndryshuar ligje për interesa të caktuara dhe e ka kthyer ndërtimin në një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave, duke helmuar ekonominë dhe zhvlerësuar punën e ndershme.
Por Kryeministri nuk kërkon biografitë e tyre. Nuk publikon dosjet e tyre. Nuk i kthen ata në shënjestër.
Gjuetia e shtrigave është rezervuar për protestuesit: për qytetarët e guximshëm të këtyre javëve të nxehta, që kërkojnë dinjitet, drejtësi dhe një shtet që punon për shumicën.
Ata nuk janë armiqtë e Shqipërisë. Ata janë heronjtë e saj qytetarë.
Fletërrufetë digjitale, dazibao-t moderne dhe linçimi publik nuk do ta shpëtojnë sistemin. Ato vetëm tregojnë frikën e njeriut që e ndërtoi dhe që sot e kupton se shqiptarët nuk kanë më frikë prej tij.

 

jorida tabaku edi rama

Lini një Përgjigje