Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, i ka drejtuar një thirrje deputetes Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si ‘Neomalsorja’, që të dorëzojë mandatin e ligjvënëses, pasi ai i përket socialistëve.
Reagimi i Ballës erdhi pasi më parë Koçeku ka deklaruar se do të jetë zëri i protestuesve në Kuvend dhe se do të regjistrohet si deputete e pavarur.
“Marjana Koçeku të dorëzojë mandatin, pasi i përket Partisë Socialiste”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PS-së. Koçeku fitoi mandatin e deputetes në qarkun e Shkodrës, atje ku renditej e para në listën shumëemërore. Në këto kushte, Balla u shpreh se ajo nuk është zgjedhur si ligjvënëse duke u votuar drejtpërdrejtë nga qytetarët, por nga Partia Socialiste.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku shkruante se idealet dhe vlerat e saj mbeten të njëjtat që ka pasur përpara se të angazhohej me një forcë politike, duke lënë të kuptohet se ka vendosur të distancohet nga Partia Socialiste.
“Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me një parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkruan ajo në postimin e saj.
Lini një Përgjigje