Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale zhvilloi sot mbledhjen e radhës në Kuvend, ku, sipas burimeve, nuk u arrit dakordësi për rendin e ditës, duke shënuar kështu edhe mbylljen e fazës së punës së këtij komisioni.
Burime bëjnë me dije se Partia Socialiste pritet të paraqesë propozimin e saj vetëm për hartën e re territoriale, e cila do të përcaktojë numrin e bashkive në të cilat do të organizohet vendi.
Sipas të njëjtave burime, propozimi i mazhorancës parashikon që Shqipëria të ndahet në rreth 40 deri në 50 bashki, nga 61 që janë aktualisht.
Miratimi i hartës së re territoriale pritet të bëhet më 23 korrik. Më pas, në sesionin e ri parlamentar, do të shqyrtohen dhe miratohen edhe amendimet në ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe ligjin për financat vendore, të cilat lidhen me ndryshimet që sjell ndarja e re administrative.
Ndërkohë, zhvillime ka edhe në procesin e Reformës Zgjedhore. Komisioni i Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore ka kërkuar shtyrjen e afatit të funksionimit deri më 30 nëntor 2026.
Kërkesa pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve.
Sipas kërkesës, zgjatja e mandatit kërkohet për t'i dhënë Komisionit më shumë kohë për përfundimin e një reforme zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse.
Në dokument argumentohet se procesi ka kërkuar më shumë kohë për shkak të numrit të lartë të rekomandimeve dhe opinioneve që duhet të shqyrtohen, si dhe për faktin se vlerësimi i Komisionit të Venecias ka mbërritur së fundmi, duke kërkuar analizë dhe reflektim në draftet që po hartohen.
Lini një Përgjigje