Partia Demokratike mbledh pasditen e sotme, në orën 18:00, Këshillin Kombëtar, ku pika kryesore e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e ekipit drejtues që do të asistojë kryetarin e partisë.
Dy muaj pas rizgjedhjes pa garë të Sali Berishës në krye të PD-së, edhe përbërja e kupolës drejtuese pritet të kalojë pa surpriza.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar nuk priten ndryshime në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, ku Flamur Noka synon një mandat të ri. Deri tani nuk është bërë publik emri i ndonjë rivali, çka nuk u ka dhënë anëtarëve të Këshillit mundësinë të njihen me një kandidat alternativ apo me platformën e tij. Rikonfirmim pritet të ketë edhe për kreun e Grupit Parlamentar, Gazment Bardhin, si dhe për nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkajn.
Ndryshime të kufizuara pritet të ketë te nënkryetarët dhe sekretariatet. Për postin e nënkryetarit kandidon Luçiano Boçi, ndërsa në listën e emrave pritet të përfshihen edhe Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu. Ndërkohë, Oerd Bylykbashi nuk do të rikandidojë për këtë funksion, ndërsa Sali Berisha pritet të propozojë edhe Erisa Bajazitin, një përfaqësuese të diasporës.
Më herët, Ivi Kaso, i cili për 12 vite ka drejtuar Sekretariatin për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të Partisë Demokratike, ka bërë të ditur se nuk do të rikandidojë. Ai e ka argumentuar këtë vendim me angazhimet e tij si deputet, anëtar i Kryesisë së PD-së dhe nënkryetar i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Lini një Përgjigje