TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Korrik 2026, 15:20

PS e vendosur për 'Territorialen', Mazniku: 40% e bashkive nuk ofrojnë shërbimet e duhura, ja ku do të ndërhyjmë

Shkruar nga Pamfleti
PS e vendosur për 'Territorialen', Mazniku: 40% e bashkive nuk
Arbian Mazniku

Në Zgjedhjet lokale të 2027 qytetarët shqiptarë do të votojnë sipas hartës së re territoriale. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, tha se harta synohet të miratohet deri në tetorin e këtij viti.

Mazniku deklaroi se puna për reformën e re territoriale po vijon mbi bazën e një analize të detajuar ekonomike, financiare, demografike dhe sociale, ndërsa një nga opsionet që po shqyrtohet, që ai e bëri publike, është bashkimi i Bashkisë së Prrenjasit me atë të Librazhdit.

"Sot ne po vijojmë punën për këtë draft. Ne kemi dëgjuar të enjten ekspertët, të cilët kanë prezantuar një raport të detajuar, i cili është tashmë publik. Ai raport ka shumë të dhëna të rëndësishme ekonomike, financiare dhe për mënyrën sesi funksionojnë bashkitë", u shpreh Mazniku për "Report Tv".

Sipas tij, raporti përfshin gjithashtu analizën demografike të çdo bashkie, ndërsa në hartimin e reformës do të merren në konsideratë edhe distancat mes njësive vendore dhe afërsia social-kulturore e komuniteteve.

"Elementi tjetër ka të bëjë me distancat nga një bashki në një tjetër, për të siguruar që, nëse do të gjykojmë për bashkime të mundshme mes bashkive, ato të jenë brenda një rrezeje të mundshme bashkimi. Por edhe elementi social-kulturor, sepse njerëzit duhet të shkojnë mirë me njëri-tjetrin", tha ai.

Mazniku argumentoi se një pjesë e bashkive nuk arrijnë të përmbushin funksionet që u ngarkon ligji, për shkak të numrit të ulët të popullsisë, mungesës së burimeve financiare dhe kapaciteteve njerëzore.

"Ne e kemi shprehur në mënyrë të qartë se ka një numër bashkish që nuk ia dalin dot t’u ofrojnë në mënyrë efikase shërbime qytetarëve të tyre. Besojmë se disa bashki që janë nën limitet e funksionimit duhet të bashkohen me bashki fqinje që e kanë këtë kapacitet, duke krijuar ekonomi shkalle", deklaroi ai.

Në këtë kuadër, Mazniku përmendi edhe një nga rastet konkrete që po analizohet.

"Bashkia e Prrenjasit është një mundësi që të bashkohet me Librazhdin. Është një nga opsionet që po analizojmë. Ka edhe treguesin e distancës që është pjesë e diskutimeve. Kjo është një nga rastet tipike që i kemi të dyja dilemat", u shpreh ai.

Sipas bashkëkryetarit të Komisionit, rreth 40% e bashkive në vend nuk ofrojnë as gjysmën e shërbimeve që duhet të ofrojnë për qytetarët.

"40% e bashkive nuk ofrojnë as gjysmën e shërbimeve", theksoi Mazniku.

Por jo gjithçka do të përfundojë brenda këtij viti. Mazniku sqaroi se do të kërkojë edhe 1 vit kohë për të përfunduar të gjithë legjislacionin përmes së cilit do të funksionojnë bashkitë e reja.

“Ne kemi propozuar, duke qenë se jemi të lidhur me elementin e datës së zgjedhjeve në vitin 2027, ku në nëntor Presidenti duhet të shpallë zgjedhjet, që do të thotë që në tetor është afati i mundshëm për të miratuar në Parlament këtë reformë, që të kemi kohë që Presidenti të shpallë zgjedhjet me hartën e re. Ndërkohë që për 3 elementë të tjerë, elementin e funksioneve dhe kompetencave të bashkive, elementin e financave të bashkive dhe elementin e rajonalizimit, ne besojmë dhe ky është propozimi që do i bëjmë seancës, që duhet të vijojë puna edhe për një vit tjetër, deri në korrikun e vitit 2027, pasi nuk kemi limite fizike kohore për ta mbaruar atë punë dhe mund të marrim gjithë kohën e nevojshme për ta mbaruar atë punë. Do të marrim kohën që të bëjmë të mundur që njësitë administrative të bashkive, të kenë një rol më të fortë për t’u ofruar shërbimin qytetarëve”, tha Mazniku.

Duke folur për Tiranën, ai u shpreh se kryeqyteti ka nevojë për një trajtim të veçantë për shkak të peshës që ka në popullsi dhe ekonomi.

"Tirana ka 25% të popullsisë së Shqipërisë dhe mbi 50% të xhiros që krijohet nga ekonomia shqiptare. Nuk është harta problemi i Tiranës. Tirana ka nevojë ose për një ligj të posaçëm për mënyrën sesi funksionon, ose për një kapitull të posaçëm në ligjin për pushtetin vendor", deklaroi Mazniku.

Në fund, ai akuzoi opozitën se ka vonuar procesin e reformës duke mos marrë pjesë në punimet e Komisionit për katër muaj, por shtoi se propozimet e ekspertëve të saj do të shqyrtohen.

Pavarësisht se nuk dha detaje, socialisti tha se me apo pa PD, numri i bashkive do të ulet.

"Për 4 muaj opozita nuk erdhi në Komision, duke çuar dëm 4 nga 9 muaj të punës që ne kishim. Ne kemi një afat të fortë, apo një mur, siç është data e zgjedhjeve. Sepse nëse e shtyjmë, nuk humbasim disa muaj, por periudhën 2027-2031. Sepse nuk ua ndërpresim dot mandatin në mes kryetarëve të bashkive. Ne do të lexojmë me shumë vëmendje të gjitha sugjerimet që ekspertët e opozitës kanë dërguar në Komision. Do të marrim parasysh të gjithë elementët e atij raporti që janë për t’u marrë parasysh", përfundoi Mazniku.

Afati i Komisionit ka skaduar me 15 korrik, ndërsa në mbledhje ne fundit PD vendosi të braktisë Komisionin dhe PS vijoi e vetme punën për këtë reformë, e cila vjen pas asaj të vitit 2014.

reforma territoriale

Lini një Përgjigje