TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Korrik 2026, 14:24

Raporti i kriminalitetit, Lamallari: 18 vrasje me dashje në 6 muaj

Shkruar nga Pamfleti
Raporti i kriminalitetit, Lamallari: 18 vrasje me dashje në 6 muaj
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari,

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka publikuar të dhënat paraprake të raportit mbi kriminalitetin për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, sipas të cilave në Shqipëri janë regjistruar 18 vrasje me dashje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari publikoi një grafik krahasues të rasteve të vrasjeve me dashje nga viti 2005 deri në vitin 2026, duke deklaruar se vendi ka arritur nivelin më të ulët historik të këtij treguesi.

“Nga një mesatare prej 49 vrasjesh me dashje në dekadën 2005–2014, sot kemi zbritur në vetëm 18 raste, në nivelet më të ulëta historike, ndërkohë që mesatarja për dekadën e fundit është më shumë se përgjysmuar në 23.4 raste”, thekson Lamallari.

Sipas ministrit, ulja e numrit të vrasjeve me dashje lidhet me reformat e ndërmarra nga qeveria, mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit dhe investimet në fushën e sigurisë.

“Kurrsesi që kjo nuk është rastësi, por rezultat i reformave të qeverisë shqiptare, përfshi mbështetjen dhe rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, investimeve që ne kemi bërë dhe vendosmërisë për të mos u zmbrapsur në luftën me kriminalitetin”, thekson ai.

Në të njëjtin reagim, Lamallari u ndal edhe te projekti “Smart City”, qendra e komandimit dhe kontrollit të të cilit u inaugurua një ditë më parë. Sipas tij, përdorimi i inteligjencës artificiale, kamerave inteligjente dhe sensorëve për zbulimin e të shtënave me armë zjarri synon të rrisë kapacitetet për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit.

Lini një Përgjigje