Kryeministri deklaron se pas kundërshtimeve ndaj projektit ka ndikime nga aktorë të ndryshëm, ndërsa thekson se qeveria do të vijojë zbatimin e premtimeve të saj.
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër projektit të parashikuar në Zvërnec gjatë një interviste për televizionin francez “France24”.
Duke folur për kundërshtimet ndaj projektit, Rama tha se në këtë çështje ka ndikime dhe ndërhyrje nga faktorë të ndryshëm, përfshirë edhe aktorë jashtë Shqipërisë.
“Saktësisht për çfarë po ndodh. Ka shumë ndërhyrje, qoftë ndërhyrje nga Irani, me të cilin jemi në një luftë kibernetike që prej tri vitesh ose ndërhyrje nga konkurrentët në të gjithë rajonin që nuk e duan këtë zhvillim në Shqipëri”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë pranoi se ekzistojnë edhe shqetësime nga një pjesë e qytetarëve lidhur me projektin, por nënvizoi se ekzekutivi po zbaton angazhimet për të cilat ka marrë mandatin.
“Siç e thashë, janë dhe të gjitha shqetësimet e tjera të një pjese të popullsisë që duan gjëra të ndryshme, por ne u zgjodhëm për të bërë atë që premtuam dhe midis premtimeve është ky projekt”, theksoi Rama.
Në vijim të intervistës, kryeministri bëri dallimin mes protestave të zhvilluara në Tiranë dhe qëndrimit të banorëve në zonën ku pritet të realizohet projekti.
“Është shumë interesante, sepse në Tiranë ka protesta, ndërsa në Vlorë, ku është parashikuar të bëhet projekti, njerëzit e duan atë”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje