Përplasja mes kryeministrit shqiptar dhe Ministrisë së Jashtme iraniane është ashpërsuar edhe më tej, ndërsa Teherani i kërkon Ramës të dëgjojë protestuesit dhe jo të fajësojë të tjerët për pakënaqësinë në vend.
Teksa debati politik në Shqipëri vijon të dominohet nga protestat e ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama po vazhdon të vendosë Iranin në qendër të narrativës së tij. Pas akuzave se pas valës së reagimeve dhe fushatave online qëndrojnë interesa të huaja, mes tyre edhe Teherani, kreu i qeverisë shqiptare është përfshirë në një tjetër shkëmbim të ashpër deklaratash me zyrtarët iranianë.
Këtë herë reagimi erdhi nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, i cili i kërkoi Ramës të mos kërkojë fajtorë jashtë Shqipërisë për protestat dhe pakënaqësitë e qytetarëve.
“Do të ishte më e mençur të tregonit pak respekt për inteligjencën dhe gjykimin e popullit tuaj, si një komb me kulturë të pasur dhe histori krenare. Ata janë perceptues mjaft të mirë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Nëse zgjidhni të shisni sovranitetin tuaj kombëtar, ky është vendimi juaj. Nuk na detyroni për asnjë shpjegim. Por kur përballeni me zemërimin dhe kritikat e publikut tuaj, ju lutem mos përdorni të tjerët si një pretekst për të shmangur përgjegjësinë”, shkroi Baqaei.
Në një pjesë tjetër të reagimit, zyrtari iranian përdori edhe sloganet e protestuesve shqiptarë, duke i bërë thirrje kryeministrit të dëgjojë zërin e tyre.
“Në vend të kësaj, në vend që të shkruani një broshurë të gjatë plot akuza të pabaza ndaj Iranit, merrni kohën e duhur për të dëgjuar vetë popullin tuaj që po brohoret në rrugë: ‘Jo korrupsionit!’, ‘Duam drejtësi!’, ‘Rama ik!’.“
Calm down, Mr. prime minister @ediramaal.
— Esmaeil Baqaei (@IRIMFA_SPOX) June 9, 2026
It was YOU, sir, who started this. So...you should 'face the music'!
It would be wiser to show some respect for the intelligence and judgment of your own people, as a nation of rich culture and proud history. They are perceptive enough… pic.twitter.com/pcacUrEjAY
Por përgjigjja e Ramës ishte po aq e ashpër. Kryeministri jo vetëm që nuk u tërhoq nga akuzat ndaj Iranit, por e përdori reagimin e Teheranit për të thelluar edhe më tej përplasjen.
“O Zot, ju njerëz jeni vërtet të pandershëm! Faleminderit gjithsesi për shqetësimin tuaj për inteligjencën e popullit shqiptar. Do të ishte shumë më bindëse sikur të vinte nga përfaqësues të një regjimi që nuk godet rutinën e qytetarëve të vet përmes censurës, intimidimit, ndërprerjes së internetit dhe shtypjes së pakënaqësisë. Sa i përket sovranitetit, Shqipëria nuk merr leksione mbi sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike ndaj shërbimeve dhe institucioneve publike shqiptare”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë e ktheu debatin edhe te liria e protestës, duke thënë se në Shqipëri qytetarët mund të kundërshtojnë qeverinë pa pasur frikë nga ndëshkimi.
“Ju citoni protestues shqiptarë që brohorisin në rrugë. Mirë. Kjo quhet demokraci. Në Shqipëri, njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë Kryeministrin e tyre, të kërkojnë drejtësi dhe të kërkojnë zgjedhje pa frikën nga burgosja. A mund të thuhet e njëjta gjë për popullin për të cilin pretendoni se flisni ju? Dhe është veçanërisht domethënëse që papritmas keni zbuluar një shqetësim kaq të thellë për protestuesit në Tiranë, ndërkohë që gjaku i dhjetëra mijëra njerëzve tuaj njollos ndërgjegjen e regjimit tuaj”, vijoi ai.
Në fund, Rama e mbylli reagimin me sulmin më të fortë ndaj Teheranit, duke e cilësuar regjimin iranian si armik të vlerave demokratike.
“Populli shqiptar është me të vërtetë mjaft inteligjent për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Pikërisht për këtë ata mund të bëjnë dallimin midis një argumenti demokratik dhe propagandës. Profilet tuaja false dhe videot deepfake mund të shtojnë helmimin e regjimit tuaj të urrejtjes në konfuzionin digjital, por nuk do të çojnë askund. Pavarësisht dallimeve që mund të kemi midis shqiptarëve, ne të gjithë jemi të qartë dhe të bashkuar në mendimin se çdo lloj regjimi që mban popullin e vet në errësirë dhe varfëri është armik i mënyrës sonë të jetesës. Dhe juaji është më i keqi: një shtet terrorist”, deklaroi Rama.
Përplasja mes Tiranës dhe Teheranit vjen në kulmin e debatit që ka shpërthyer pas protestave të ditëve të fundit, ndërsa kryeministri shqiptar vijon të lidhë një pjesë të fushatës kundër tij me aktorë të huaj, mes tyre edhe Iranin, pretendim që po has tashmë në reagime të drejtpërdrejta nga vetë autoritetet iraniane.
Lini një Përgjigje