TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Qershor 2026, 16:39

Protestat në Tiranë, Rama: Irani u përfshi menjëherë, po hetojmë rrjetet e dezinformimit

Shkruar nga Pamfleti
Protestat në Tiranë, Rama: Irani u përfshi menjëherë,
Rama

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar sërish aktorë të huaj dhe rrjete dezinformimi për manipulimin e narrativës rreth protestave masive që po zhvillohen në Tiranë, duke pretenduar se po përdoren inteligjenca artificiale, materiale të fabrikuara dhe informacione të rreme për të shtrembëruar realitetin.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian, Rama tha se institucionet shqiptare janë duke mbledhur prova dhe dokumentacion për atë që e cilësoi si një fushatë të organizuar dezinformimi.

“Flitet për gjëra që nuk ekzistojnë, që janë të rreme. Ne po punojmë dhe do dalim me gjëra, do presim një moment më të qetë. Po punojmë për dosjet apo skedat e flamengove dhe do ju tregojmë sa shumë deepfake, sa shumë dezinformim dhe sa shumë sajim apo inxhinierim po u bëhet informacioneve nga burimet që po i përdorin dhe që i shumëfishojnë”, deklaroi Rama.

Sipas tij, autoritetet disponojnë të dhëna konkrete që tregojnë përpjekje për të krijuar një realitet virtual, i cili nuk përputhet me situatën në terren.

“E dimë faktikisht që ka aktorë që po përpiqen ta shfrytëzojnë duke përdorur depërtimin dhe të tjerë për agjendën e tyre, që nuk ka të bëjë me Shqipërinë si objektiv, por si një vend interesant për të dhënë energji politikbërjes së tyre”, u shpreh kryeministri.

Duke folur për burimet e këtyre ndërhyrjeve, Rama përmendi Iranin si të vetmin aktor shtetëror që, sipas tij, është përfshirë në shfrytëzimin e situatës.

“Nuk flas për aktorë dashakeq. Ka vetëm një aktor të tillë që është Irani. E dimë me fakte. Unë nuk kam thënë kurrë dhe nuk e them që Irani e shpiku, por them që Irani u hodh menjëherë në këtë histori”, tha ai.

Kreu i qeverisë kujtoi gjithashtu sulmet kibernetike që Shqipëria ka pësuar në të kaluarën dhe për të cilat autoritetet shqiptare kanë fajësuar Iranin, duke argumentuar se ekziston interes për ta lidhur situatën në Shqipëri me narrativa të Lindjes së Mesme.

“Kush e ka interesin të krijojë e ndezë narrativën anti-Izrael, anti-hebre e antisemite? Çfarë lidhje ka Gaza me këtë zhvillim apo flamuri izraelit? Ka hasur në shpërndarje, ka pasur interes”, deklaroi Rama.

Përveç ndërhyrjeve të huaja, kryeministri tha se edhe konkurrenca rajonale në sektorin e turizmit ka kontribuar në përhapjen e lajmeve të rreme që, sipas tij, synojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.

“Pjesa tjetër janë konkurrentët. Kemi pasur shumë informacione të rreme sa vinin nga konkurrenca sa i takonin turizmit. Nuk do ishte gabim që të thosha se edhe mes jush ka njerëz që kanë ripostuar apo kanë parë ripostime nga gazetarë që kanë ripostuar qindra mijëra protestues. Është bota ku jetojmë. Është çmenduri, por kjo është”, u shpreh ai para gazetarëve të BE-së.

Rama këmbënguli se qeveria disponon prova dhe jo thjesht perceptime mbi atë që e konsideron një fushatë të koordinuar manipulimi, ndërsa paralajmëroi se në vijim do të bëhen publike të dhëna dhe dokumente që, sipas tij, mbështesin këto pretendime.

Lini një Përgjigje