
Është zhvilluar me debate dhe diskutime të forta seanca e sotme në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Përpara fjalës në lidhje me interpelancën për surrogacinë, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, foli në lidhje me megaskandalin tek “Onkologjiku”.
Mes zhurmës së deputetëve të opozitës të cilët përplasën duart në tavolina duke krijuar kaos në Kuvend, Koçiu u shpreh të gjithë mjekët që abuzojnë me detyrën, do të përballen me ndëshkime të ashpra.
Ajo shtoi se në raste të sjellëve amorale do të merret masa e ndalimit të ushtrimit të detyrës.
Ndërkohë kreu i grupit të PD Gazment Bardhi i ka kërkuar ministres të japë dorëheqjen.
“Padiskutim abuzimi i rëndë m detyrën i një grupi farmacistësh, dhe staf mjekësor që kanë luajtur me njerëzit dhe shëndetin e tyre, kjo vetëm një përgjigje; ndëshkim ligjor, administrativ dhe moral. Për çdo njeri nga ata që kanë nisur hetim, do të mbajnë mbi shpinë moralin e turpin. Për të sanksionuar me ligj ata mjekë, s’mund t’i quaj më as profesionist, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall të shumicës, do të përballen me masa që do t’i bëjmë të ditura. Do t’u hiqet e drejta e profesionit në rast se do të bëjnë sjellje amorale nëse cënojnë profesionin e tyre”, tha ajo.
Bardhi: Jep dorëheqjen, ky është turp
Koçiu: Kam dëgjuar gjithçka këto ditë. Po rrëzohet çdo investim dhe çdo punë që është bërë në shëndetësi.
Nikolla: Ju paralajmëroj zoti Bardhi, do t’ju përjashtoj nga salla.
Denoncimet e pacientëve kanë zbuluar të gjithë skemën si mjekët dhe personeli që punonte tek Onkologjiku nxisnin pacientët të kryenin vizitat dhe shërbimet në klinikën private Megis në pronësi të mjekun Edmond Gashi, që ndodhej tek Astiri. Nga dosja e prokurorisë së Tiranës citohen raste kur onkologu Edmond Gashi nuk tregohej human me pacientët që kishte operuar me mijëra euro në klinikën e tij, pasi s’i kishte ofruar shërbim falas në shtet.
Nga përgjimet që dalin në dosje, mjekët dhe stafi i përfshirë në këtë skemë përfituese ndaj pacientëve me tumor, u ruheshin mediave. Ata kanë pikasur shpesh herë në ambientet e spitalit gazetarë nga media të ndryshme në vend dhe kanë sinjalizuar njëri-tjetrin që të jenë të kujdeshëm pasi mund të hiqen si pacientë.
Lini një Përgjigje