Deputeti i PS, Fatmir Xhafaj nga foltorja e Kuvendit ka sulmuar sërish institucionet e pavarura, që supas tij kanë mangësi në performancë, transparencë dhe llogaridhënie, sulm ky indirekt për KLSH, që ka evidentuar shumë herë shkeljet qeverisë Rama dhe institucioneve nën varsinë e tyre.
“Ende ka mangësi në performancë, transparencë dhe llogaridhënie. Procesi i raportimit duhet parë si instrument për përmirësimin e veprimtarisë. Pavarësia nuk mund të interpretohet si mungesë llogaridhënie. Pavarësia dhe llogaridhënia plotësojnë njëra-tjetrën”, tha Xhafaj.
Deklaratat e tij vijnë pak kohë pasi, gjatë shqyrtimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale të raportit vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ai kërkoi që puna e institucionit të mos fokusohej vetëm te evidentimi i shkeljeve, por edhe te ndihma për administratën në parandalimin e tyre.
"Këtu nuk është çështja se si të kapim institucionet në gabime. Nuk duhet të jetë kjo filozofia e punës së auditimit. Por se si t'i ndihmojmë institucionet që ato të gabojnë sa më pak. Si t'i ndihmojmë institucionet, t'i parandalojmë, që të kenë sa më pak shkelje ligjore në administrimin e pasurisë publike", deklaroi Xhafaj.
Ai vuri në diskutim edhe mënyrën se si duhet të vlerësohet puna e KLSH-së.
"Me çfarë do të duhet ta masim suksesin e Kontrollit të Lartë të Shtetit? Me numrin e auditimeve? Me numrin e rekomandimeve? Me vlerën e dëmit ekonomik të evidentuar, që shpesh herë nuk dihet se cili është dëmi i vërtetë? Apo me ndryshimin që auditimet kanë sjellë në mënyrën se si administrata publike menaxhon fondet e qytetarëve? Personalisht besoj se standardi themelor duhet të jetë ky i fundit", u shpreh ai.
Më tej, Xhafaj tha se qytetarët presin që problemet të mos përsëriten dhe jo vetëm të evidentohen në raportet e auditimit.
"Qytetari nuk pret vetëm dhe nuk është i interesuar të dijë se është konstatuar x problem apo sa auditime janë bërë, pret që ai problem të mos përsëritet", tha ai.
Lini një Përgjigje