
Pas përjashtimit nga gara për kreun e Partisë Demokratike, Evi Kokalari ka bërë thirrje publike për bojkotimin e procesit zgjedhor në PD, duke e cilësuar atë si një farsë të organizuar nga Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të partisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kokalari u kërkoi demokratëve të mos marrin pjesë në votim, pasi sipas saj vota e anëtarësisë nuk ka asnjë vlerë reale.
Ajo akuzoi Berishën dhe deputeten Albana Vokshi se kërkojnë pjesëmarrjen e demokratëve vetëm për “sy e faqe”, ndërsa vendimet, janë marrë paraprakisht.
“Demokratë: BOJKOTONI, BOJKOTONI, BOJKOTONI. Këto zgjedhje janë pa asnjë vlerë dhe do të konfirmohet shumë shpejt si të tilla”, shkruan Kokalari.
Kokalari publikoi gjithashtu disa biseda në WhatsApp, për të cilat pretendon se tregojnë mënyrën sesi janë përcaktuar paraprakisht emrat që do të votoheshin për kryesinë e partisë në zgjedhjet e vitit 2022.
“Berisha dhe Vokshi ju duan aty vetëm për sy e faqe. Edhe për zgjedhjet e kryesisë, listat përcaktoheshin paraprakisht”, deklaron ajo.
Kokalari shprehet se prej vitit 2021 ka mbështetur ndryshimin dhe hapjen e Partisë Demokratike, por thekson se çdo proces zgjedhor brenda partisë është manipuluar.
Aktivistja paralajmëroi se beteja e saj do të vijojë edhe në rrugë ligjore, duke theksuar se seanca e parë gjyqësore për çështjen e saj do të mbahet të hënën. Si përfundim, Kokalari iu bëri thirrje demokratëve të mos i japin legjitimitet procesit.
“Mos i jepni legjitimitet kësaj farse. Ju meritoni shumë më shumë se kaq”, përfundon reagimi i Kokalarit.
Lini një Përgjigje