Kryeministri thotë se administrata shqiptare kërkoi standarde më të larta nga investitorët dhe se shteti nuk ka ndërhyrë në transaksionet mes palëve për tokën…
Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me debatin për projektin turistik në Zvërnec, duke deklaruar se institucionet shqiptare kanë mbrojtur interesin publik gjatë gjithë procesit dhe se varianti i parë i paraqitur nga investitorët nuk është miratuar.
Gjatë një komunikimi publik, nga salla ku zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, Rama tha se projekti është rishikuar pas kërkesave të administratës shqiptare për standarde më të larta në aspektin arkitekturor, inxhinierik dhe mjedisor.
“Investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore në arkitekturë, inxhinieri, mjedis dhe në aspektin juridik, ndërkohe që ne do tua tregoj hapat. Kemi mbrojtur interesin tuaj, të vendit, dhe kemi bërë detyrën jo thjesht proceduralisht, por profesionalisht dhe patriotikisht”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë kundërshtoi pretendimet që lidhin projektin aktual me pamje apo materiale të publikuara më herët, duke theksuar se ato i përkasin një varianti që nuk është pranuar nga autoritetet shqiptare.
“Kam parë imazhe, kam parë pamje të projektit, ku i kemi gjetur? Ato nuk kanë lidhje. Projekti i vjetër është rrëzuar nga administrata shqiptare, iu është kthyer mbrapsht. Iu është thënë kemi kërkesa të larta dhe duam standarde shumë të larta. Jo se ishte i keq, por ne donim më shumë për ju, jo për vete”, u shpreh ai.
Rama foli edhe për çështjen e pronësisë së tokës ku pritet të zhvillohet investimi. Sipas tij, prona figuron e regjistruar prej vitesh, ndërsa marrëveshjet mes investitorëve dhe pronarëve janë çështje private ku shteti nuk ka pasur rol.
“Toka është e regjistruar në hipotekë prej shumë vitesh dhe negociatat me pronarët, transaksionet janë çështje mes palëve, s’kemi hyrë, s’ka qenë nevoja të hyjmë dhe s’kemi pas asnjë interes të hyjmë”, tha Rama.
Ai bëri dallim mes projektit në Zvërnec dhe negociatave që po zhvillohen për ishullin e Sazanit, ku sipas tij qeveria po mbron interesat shtetërore.
“Jemi të interesuar te Sazani, për të cilin ende nuk kanë përfunduar negociatat, ne duam pjesën e shtetit shqiptar dhe do negociohet”, deklaroi kryeministri.
Sa i përket rrethimit të zonës, Rama tha se procedura është kryer mbi bazën e lejes së zhvillimit dhe jo të lejes së ndërtimit.
“Rrethimi i pronës është bërë bazuar tek leja e zhvillimit, nuk është leja e ndërtimit. Rrethimi i pronës është e drejtë e çdo pronari kur merr lejen e zhvillimit”, u shpreh ai.
Në fund, kryeministri komentoi edhe pretendimet e ngritura për pronësinë mbi territorin ku parashikohet ndërtimi i resortit, duke theksuar se zgjidhja e tyre duhet të vijë përmes gjykatave.
“Nga ana tjetër, a ka pretendime për pronësi mbi atë territor. Pretendimet janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata. Nuk mund të zhvillohet vendi nëse mbetet pezull mbi titujt e pronësisë dhe mbi zhvillimet”, deklaroi Rama.
Per cfare kodoshe gjykate e ka fjalen ky, per ata qe firmosen genjeshtra e tani populli po u degjon kengen?