Lëvizja Vetëvendosje tha se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit, proces që dështoi muaj më parë dhe e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.
"Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es", tha për REL, ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit me 47.13 për qind të votave apo 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh. Për zgjedhjen e Qeverisë kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash, pra LVV-ja do të mund ta formonte një ekzekutiv me përkrahjen e partive pakicë joserbe, të cilat e kanë mbështetur edhe ekzekutivin aktual.
Megjithatë, për presidentin kërkohet pjesëmarrja në votim në dy rundet e para të të paktën 80 deputetëve. Mospajtimet për zgjedhjen e presidentit çuan në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Sipas Nagavcit, LVV-ja do “të bëjë gjithçka” që është në mandatin e saj që të arrihen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Andaj, është e nevojshme që deputetët, të cilët kanë fituar besimin e qytetarëve, të jenë në nivelin e përgjegjësisë dhe ta zgjedhim presidentin/en, në mënyrë që ta tejkalojmë bllokadën në të cilën ndodhemi, të shmangim edhe një palë zgjedhje dhe të vazhdojë puna me kompetenca të plota në të gjitha institucionet”, shprehet Nagavci.
Kosova është me ushtrues detyre të presidentit që nga prilli, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar kushtetues. Ndërkohë, partitë janë në pritje të certifikimit të rezultateve për të nisur konsultimet për formimin e institucioneve të reja. Aktualisht, Gjykata Supreme po trajton disa ankesa dhe ka afat deri të martën që t'i shqyrtojë ato, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret vendimet e saj para se të vazhdojë me certifikimin e rezultateve.
Duke folur për këto takime mes partive, Nagavci thekson se kreu i partisë, Albin Kurti do të udhëheqë këtë proces dhe do t’i zhvillojë ato “me synimin për të gjetur zgjidhjen më të mirë për tejkalimin e situatës”.
Lini një Përgjigje