Kur janë numëruar rreth 70% e fletëvotimeve të ardhura nga ambasadat dhe konsullatat, Lëvizja Vetëvendosje ka rritur avantazhin ndaj rivalëve, ndërsa PDK zbret në 23 mandate.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë po vijon procesi i numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë një forcim të mëtejshëm të pozitës së Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas të dhënave të deritanishme, kur janë numëruar rreth 70 për qind e votave nga ambasadat dhe konsullatat, LVV ka siguruar 299 mijë e 526 vota, ose 43.62 për qind të totalit, rezultat që aktualisht i përkthehet në 50 mandate në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës renditet forca e dytë politike me 143 mijë e 770 vota, ose 20.94 për qind, duke siguruar 23 mandate parlamentare.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 117 mijë e 361 vota, që përbëjnë 17.09 për qind të totalit, duke u përkthyer aktualisht në 19 ulëse në Kuvend.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar deri tani 49 mijë e 123 vota, ose 7.15 për qind, duke mbetur me tetë mandate.
Rezultatet tregojnë se votat e diasporës po ndikojnë në forcimin e pozitës së Vetëvendosjes, e cila po ruan diferencë të konsiderueshme ndaj partive të tjera politike.
Megjithatë, procesi i numërimit nuk ka përfunduar ende dhe rezultatet mund të pësojnë ndryshime deri në përmbylljen e plotë të numërimit të votave të ardhura nga jashtë Kosovës.
Lini një Përgjigje