Bleona Qereti ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare, duke u pranuar si anëtare votuese e Recording Academy, organizata që qëndron pas çmimeve prestigjioze Grammy Awards.
Lajmin e bëri të ditur vetë këngëtarja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë arritje si një nga momentet më të veçanta të rrugëtimit të saj artistik.
Anëtarësimi në Recording Academy i jep Bleonës të drejtën për të marrë pjesë në procesin e votimit që ndikon në përzgjedhjen e nominimeve dhe fituesve të çmimeve Grammy.
Për artisten shqiptare, ky vlerësim merr një kuptim të veçantë, pasi ajo e ka ndërtuar karrierën e saj ndërkombëtare si artiste e pavarur, duke sfiduar rrugët tradicionale të industrisë muzikore.
Në reagimin e saj, Bleona kujtoi fillimet nga Shqipëria dhe rrugën e gjatë drejt skenave ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e këmbënguljes, punës dhe mbështetjes së fansave.
“Ky nuk është vetëm një moment historik për mua, por për çdo artist të pavarur që ndjek një ëndërr kundër të gjitha gjasave”, u shpreh ajo.
Këngëtarja falënderoi Recording Academy për këtë vlerësim, duke u shprehur krenare që tashmë është pjesë e komunitetit të profesionistëve që kontribuojnë në vlerësimin dhe zhvillimin e muzikës në nivel global.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje