
Kondicioneri është kthyer në një nga pajisjet më të përdorura gjatë ditëve të nxehta të verës, por mjekët paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj ajrit të ftohtë mund të shoqërohet me një sërë problemesh shëndetësore.
Sipas mjekëve të familjes, të cituar nga "The Independent", temperaturat shumë të ulëta dhe ajri i thatë që prodhojnë kondicionerët mund të ndikojnë në disa pjesë të organizmit, sidomos kur përdoren për orë të gjata.
Një nga efektet më të zakonshme është tharja e lëkurës. Dr. Opel Baker nga Klinika Mayfield në Brighton shpjegon se kondicionerët largojnë lagështinë nga ajri, duke bërë që lëkura të humbasë më shpejt ujin. Si pasojë mund të shfaqen tharje, çarje të buzëve, irritime apo përkeqësim i ekzemës te personat me lëkurë të ndjeshme.
Ajri i thatë prek edhe sytë, duke shkaktuar djegie, pickim dhe ndjesinë e "rërës" në sy. Këto shqetësime janë më të shpeshta te personat që përdorin lente kontakti.
Ekspertët paralajmërojnë se kondicioneri mund të ndikojë edhe te hunda dhe fyti. Tharja e mukozës mund të shkaktojë dhimbje fyti, bllokim të hundës, ngjirje zëri dhe në disa raste edhe gjakrrjedhje nga hunda. Sipas Dr. Lucy Hooper, kjo dobëson edhe mbrojtjen natyrale të organizmit ndaj infeksioneve.
Rreziku rritet edhe për sistemin e frymëmarrjes, veçanërisht nëse filtrat e kondicionerit nuk pastrohen rregullisht. Pluhuri, poleni dhe myku që mund të grumbullohen në to mund të irritojnë rrugët e frymëmarrjes, të përkeqësojnë astmën dhe të rrisin rrezikun e infeksioneve respiratore.
Përdorimi për shumë orë në ambiente shumë të ftohta mund të shoqërohet edhe me dhimbje koke, tension muskulor dhe dhimbje në qafë e shpatulla, probleme që lidhen me dehidratimin dhe ekspozimin e vazhdueshëm ndaj ajrit të ftohtë.
Për të shmangur këto pasoja, mjekët rekomandojnë hidratim të vazhdueshëm, përdorimin e kremrave hidratues, pastrimin periodik të filtrave të kondicionerit, drejtimin e rrjedhës së ajrit larg fytyrës dhe shmangien e temperaturave shumë të ulëta në ambiente të mbyllura.
Dr. Lucy Hooper këshillon gjithashtu që kondicioneri të mos ndizet menjëherë sapo hyni në shtëpi apo në zyrë, por vetëm kur temperaturat bëhen vërtet të larta, në mënyrë që të kufizohet ekspozimi i panevojshëm ndaj ajrit të ftohtë.
Lini një Përgjigje