Gjermania do të zbresë mbrëmjen e sotme në fushë pa presion, pasi e ka siguruar tashmë vendin e parë në Grupin E. Në sfidën e fundit të fazës së grupeve, e planifikuar për në orën 22:00, "panzerat" do të përballen me Ekuadorin, i cili ka nevojë për fitore për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Përfaqësuesja amerikano-latine numëron vetëm një pikë dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores do t'ia zbehte ndjeshëm mundësitë për të kaluar më tej. Në të njëjtën orë do të zhvillohet edhe sfida mes Kurasaos dhe Bregut të Fildishtë.
Të dyja kombëtaret e kësaj përballjeje luajnë për kualifikimin. Edhe pse Kurasao ka vetëm një pikë, një fitore do ta mbante në garë, ndërsa Bregu i Fildishtë, që renditet i dyti me tre pikë, synon suksesin për të siguruar kalimin në fazën tjetër pa u varur nga renditja e vendeve të treta.
Në orën 01:00 të mëngjesit do të luhen ndeshjet e fundit të Grupit F. Holanda do të përballet me Tunizinë, tashmë të eliminuar, me synimin për të ruajtur vendin e parë. "Tulipanët" kanë katër pikë, po aq sa Japonia, e cila do të sfidojë Suedinë, që ndjek me tre pikë.
Përballja Japoni-Suedi pritet të jetë një nga më të luftuarat e mbrëmjes, pasi mund të përcaktojë jo vetëm ekipin që kalon si i dyti, por edhe fituesin e grupit. Renditja në vendin e parë ka rëndësi të veçantë, pasi skuadra që mbyll grupin në vendin e dytë do të përballet me Brazilin në fazën e 1/16-ave.
Ndeshjet e fundit të Grupit D do të zhvillohen në orën 04:00 të mëngjesit. Shtetet e Bashkuara, të kualifikuara tashmë si fituese të grupit, do të luajnë ndaj Turqisë, e cila është eliminuar.
Vëmendja kryesore do të jetë te sfida mes Australisë dhe Paraguajit. Të dyja ekipet kanë nga tre pikë, ndërsa aktualisht Australia mban vendin e dytë falë golavarazhit më të mirë. Një barazim mund t'i kualifikojë të dyja kombëtaret, në varësi të renditjes përfundimtare të vendeve të treta.
Lini një Përgjigje