TAGS-AT E JAVËS

Sport13 Korrik 2026, 14:16

Favoritët për triumfin në Botërorin 2026, dalin kuotat për secilën përfaqësuese

Shkruar nga Pamfleti
Favoritët për triumfin në Botërorin 2026, dalin kuotat
Favoritët për triumfin në Botërorin 2026

Botërori 2026 ka hyrë në fazën më emocionuese, atë të gjysmëfinaleve, ku vetëm katër kombëtare kanë mbetur në garë për trofeun më prestigjioz të futbollit botëror: Franca, Spanja, Anglia dhe Argjentina.

Sipas kuotave të kompanive të basteve, Franca vazhdon të konsiderohet favoriteja kryesore për të ngritur Kupën e Botës. Skuadra e Didier Deschamps vlerësohet me kuota rreth 2.40-2.50 për triumfin final, duke u renditur përpara rivalëve të tjerë.

“Les Bleus” kanë zhvilluar një rrugëtim pothuajse perfekt deri në gjysmëfinale. Në gjashtë ndeshje të luajtura kanë regjistruar gjashtë fitore, kanë shënuar 16 gola dhe kanë pësuar vetëm dy. Megjithatë, sfida e radhës ndaj Spanjës pritet të jetë testi më i vështirë për Mbappé dhe shokët e tij, pasi iberikët i kanë mposhtur francezët në dy përballjet e fundit direkte, në gjysmëfinalen e Euro 2024 dhe në Nations League 2025.

Spanja është gjithashtu një nga favoritet kryesorë për trofeun. “La Roja” kuotohet rreth 4.25-4.50 për të shpallur veten kampione të botës. Ekipi i Luis de la Fuente ka bindur me paraqitjet e tij, duke eliminuar dy kundërshtarë të fortë si Portugalia dhe Belgjika. Organizimi, cilësia teknike dhe pjekuria në momentet vendimtare janë cilësitë që e kanë sjellë Spanjën deri në këtë fazë.

Përballja me Francën do të jetë një sfidë e veçantë, pasi spanjollët kanë fituar dy takimet e fundit ndaj “Gjelave” dhe tashmë kërkojnë një tjetër sukses për të siguruar finalen e Botërorit.

Argjentina, kampionia në fuqi, vazhdon mbrojtjen e titullit dhe vlerësohet me kuota rreth 4.75-5.50. Skuadra e Lionel Messit ka kaluar momente të vështira në këtë turne, duke eliminuar Egjiptin dhe më pas Zvicrën vetëm pas kohës shtesë. Rruga e saj drejt gjysmëfinales ka shkaktuar edhe diskutime, për shkak të kundërshtarëve që kishte në fazat e mëparshme, por tani gjithçka do të vendoset në fushë.

Në gjysmëfinale, Argjentina do të përballet me Anglinë, në një duel me shumë histori dhe rivalitet, ku vetëm njëra prej tyre do të sigurojë një vend në finalen e madhe.

Anglia është skuadra që vjen me kuotat më të larta mes katër gjysmëfinalisteve. Ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel kuotohet rreth 4.50 për fitimin e Botërorit. Megjithatë, “Tre Luanët” kanë treguar forcë dhe tani kanë mundësinë të rikthehen në finalen e Kupës së Botës, përballë kampionëve në fuqi.

Me vetëm katër ekipe të mbetura, Botërori 2026 premton një fund spektakolar, ku Franca dhe Spanja shihen si favoritët kryesorë, por Argjentina dhe Anglia mbeten plotësisht në garë për trofeun.

favoritët për triumfin në botërorin 2026

Lini një Përgjigje