Interi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin Kristian Kivu, duke i besuar drejtimin e skuadrës deri në qershor të vitit 2028. Vendimi vjen pas një sezoni të suksesshëm, ku tekniku rumun arriti të rikthente zikaltërit në krye të futbollit italian dhe të siguronte edhe triumfin në Kupën e Italisë, duke kompletuar një dyshe trofesh që mungonte që nga epoka e Zhoze Murinjos.
Bisedimet mes palëve kishin nisur prej javësh, ndërsa marrëveshja e re u bë zyrtare këtë të enjte përmes një komunikate të klubit.
“Interi është i lumtur të komunikojë rinovimin e kontratës së trajnerit Kristian Kivu. Falë akordit të ri, trajneri do të jetë në drejtimin e zikaltërve deri në vitin 2028”, thuhet në njoftimin e klubit.
Në deklaratën zyrtare, Interi vlerësoi gjithashtu kontributin e trajnerit gjatë periudhës së tij në pankinën zikaltër.
“Më 9 qershor 2025 Kivu u bë trajneri i ri i Interit. Nga ky moment ai ka drejtuar Interin në pankinë në 58 ndeshje, gjatë një sezoni intensiv dhe impenjativ, i bërë i paharrueshëm me kalimin e muajve”, theksohet në komunikatën e klubit.
Me rinovimin e kontratës, drejtuesit e Interit konfirmojnë besimin e plotë te projekti i Kristian Kivut, i cili pritet të vazhdojë të udhëheqë skuadrën në objektivat e saj për sezonet e ardhshme.
Lini një Përgjigje