
Ndërsa në fushë do të udhëheqin emra si Lionel Messi, Harry Kane, Julian Alvarez dhe Jude Bellingham, katër dekada më parë britanikët dhe argjentinasit përballeshin në një luftë të vërtetë, ku humbën jetën qindra ushtarë nga të dyja palët...
Anglia dhe Argjentina përballen sonte në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, por kjo sfidë është shumë më tepër sesa një ndeshje futbolli. Pas rivalitetit sportiv fshihet një histori e mbushur me konflikt, luftë dhe plagë të pashëruara mes dy vendeve.
Ndërsa në fushë do të udhëheqin emra si Lionel Messi, Harry Kane, Julian Alvarez dhe Jude Bellingham, katër dekada më parë britanikët dhe argjentinasit përballeshin në një luftë të vërtetë, ku humbën jetën qindra ushtarë nga të dyja palët.
-Si nisi konflikti?
Mosmarrëveshja lidhet me Ishujt Falkland (të njohur në Argjentinë si Ishujt Malvinas), një arkipelag në Atlantikun Jugor, rreth 13 mijë kilometra larg Britanisë së Madhe, por që administrohet nga Londra.
Në vitet 1960, Kombet e Bashkuara kërkuan zgjidhjen e statusit të ishujve. Ministria e Jashtme britanike kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit të kontrollit tek Argjentina, duke e parë çështjen si pengesë për marrëdhëniet tregtare me Amerikën e Jugut.
Megjithatë, marrëveshja nuk u arrit. Banorët e ishujve këmbëngulën të mbeteshin nën sovranitetin britanik, ndërsa Buenos Aires nuk hoqi dorë nga pretendimet territoriale. Me kalimin e viteve, negociatat mbetën pa rezultat dhe tensionet vetëm sa u rritën.
-Lufta e Falklandeve
Në vitin 1976 në Argjentinë erdhi në pushtet junta ushtarake. Më 2 prill 1982, nën drejtimin e gjeneralit Leopoldo Galtieri dhe me nxitjen e admiralit Jorge Anaya, Argjentina pushtoi Ishujt Falkland, duke besuar se Britania nuk do të reagonte ushtarakisht.
Por kryeministrja britanike Margaret Thatcher urdhëroi menjëherë dërgimin e një force të madhe detare dhe ushtarake për rimarrjen e ishujve.
Pas bllokadës detare dhe luftimeve intensive në tokë, ajër dhe det, trupat britanike zbarkuan në Falklandin Lindor në maj dhe avancuan drejt kryeqytetit Stanley. Më 14 qershor 1982, komandanti argjentinas nënshkroi dorëzimin, duke i dhënë fund luftës me fitoren e Britanisë së Madhe. Bilanci ishte i rëndë: u vranë 649 ushtarë argjentinas, 255 ushtarakë britanikë, si dhe tre civilë.
-Lufta vazhdoi edhe në futboll
Edhe pse konflikti ushtarak përfundoi, tensionet nuk u shuan. Ato u transferuan edhe në fushën e futbollit. Katër vjet më vonë, në Kupën e Botës 1986 në Meksikë, Argjentina dhe Anglia u përballën në çerekfinale. Para ndeshjes pati përleshje mes tifozëve, ndërsa sfida hyri në histori falë Diego Maradonës.
Në minutën e 51-të, Maradona shënoi golin e famshëm me dorë, që më vonë u pagëzua si “Dora e Zotit”. Gjyqtari tunizian Ali Bin Nasser nuk e pa prekjen me dorë dhe e pranoi golin, pavarësisht protestave të anglezëve. Vetëm katër minuta më pas, Maradona realizoi një tjetër gol legjendar, duke dribluar disa futbollistë anglezë, gol që edhe sot njihet si “Goli i Shekullit”. Pas ndeshjes, legjenda argjentinase e lidhi fitoren me luftën e vitit 1982.
“Edhe pse thoshim se futbolli nuk kishte lidhje me luftën, e dinim se atje kishin vrarë shumë të rinj argjentinas. I vranë si zogj të vegjël. Konsiderojeni këtë si hakmarrje”, deklaroi Maradona. Argjentina e fitoi atë edicion të Botërorit.
-Marrëdhëniet mbeten të ndjeshme
Në vitin 1989, Argjentina dhe Britania e Madhe rivendosën marrëdhëniet diplomatike me Marrëveshjen e Madridit, por mosmarrëveshja për Ishujt Falkland mbeti e pazgjidhur.
Në referendumin e vitit 2013, mbi 99 për qind e banorëve të ishujve votuan për të mbetur nën administrimin britanik. Argjentina nuk i njohu rezultatet dhe vazhdon të pretendojë sovranitetin mbi territorin.
-Një ndeshje me peshë historike
Kur Argjentina dhe Anglia zbresin në fushë, nuk përballen vetëm dy kombëtare me histori të lavdishme futbolli. Çdo duel mes tyre rikthen kujtimet e Luftës së Falklandeve, rivalitetit politik dhe një prej kapitujve më të ndjeshëm në historinë moderne të dy vendeve.
Për Messin, Kane dhe bashkëlojtarët e tyre, objektivi është finalja e Botërorit. Por për shumë tifozë, kjo sfidë mbetet një përballje që shkon shumë përtej futbollit.
Lini një Përgjigje