
Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Polonisë, duke e çuar në 17 numrin e marrëveshjeve të këtij lloji që Shqipëria ka nënshkruar, 11 prej të cilave me vende të Bashkimit Europian.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se marrëveshja është pjesë e politikës së ndjekur nga qeveria për garantimin e të drejtave të punëmarrësve shqiptarë që kanë ndërtuar karrierën e tyre mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Sipas saj, këto marrëveshje mundësojnë njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore të paguara në shtete të ndryshme, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të përfitojnë të drejtat e pensionit dhe përfitime të tjera sipas legjislacionit në fuqi. Ministrja bëri të ditur se deri tani rreth 20 mijë shtetas shqiptarë kanë përfituar nga marrëveshjet e nënshkruara për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
“Ministria e Ekonomisë sot kaloi një projekt vendim, një miratim në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Poloninë, duke e çuar në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruar nga RSH ku bashkë me marrëveshjen me Slloveninë janë 11 marrëveshje të cilat janë firmosur me vendet e Bashkimit Europian. Unë dua të kujtoj këtu që kjo është një politikë e cila prej disa vitesh tashmë ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë shqiptare, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe pagesave që çdo individ mund të marrë në të ardhmen pasi ka kryer disa vite pune në Republikën e Shqipërisë dhe disa vite pune në një vend tjetër. Ka qenë një problem i cili ndër vite është mbartur”, njoftoi Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, procesi do të vijojë edhe me vende të tjera. Aktualisht katër marrëveshje të reja janë në fazën e negociatave dhe pritet t'i paraqiten Këshillit të Ministrave për miratim, përpara nënshkrimit të tyre.
“Gjatë vitit të kaluar kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë që është më e rëndësishmja pasi numri i shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në Itali është shumë i lartë. Deri tani janë rreth 20.000 shqiptarë që kanë përfituar nga marrëveshjet që ne kemi firmosur për njohjen e viteve të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ndaj dhe jemi duke vazhduar me intensitet të lartë. Janë katër marrëveshje të tjera të cilat janë duke u negociuar dhe shumë shpejt ne mendojmë që do t'i sjellim Këshill Ministrave për t'u miratuar dhe më pas për t'u firmosur”, theksoi ministrja.
Lini një Përgjigje