TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Qershor 2026, 19:32

Nga beteja me kancerin tek ëndrra e Botërorit, kush është 23-vjeçari që luftoi me jetën dhe do të luajë në Kupën e Botës

Shkruar nga Pamfleti
Nga beteja me kancerin tek ëndrra e Botërorit, kush është
Xhajden Nelson

Xhajden Nelson është shembulli i gjallë se si vendosmëria dhe besimi mund të triumfojnë edhe përballë sfidave më të mëdha. Futbollisti kanadez, i cili u diagnostikua me një formë të rrallë të kancerit testikular kur ishte vetëm 18 muajsh, sot po përjeton një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij: pjesëmarrjen me Kanadanë në Kupën e Botës.

23-vjeçari mori një ftesë të papritur për t’iu bashkuar skuadrës së trajnerit Heze Marss, pasi Marselo Flores u detyrua të tërhiqej nga turneu për shkak të një dëmtimi të ligamentit të kryqëzuar, të pësuar gjatë finales së Concacaf Champions Cup muajin e kaluar. Nelson ishte pjesë e listës së rezervave, por u përfshi në ekipin zyrtar në momentet e fundit.

Historia e tij është një rrëfim i jashtëzakonshëm i mbijetesës dhe këmbënguljes. Në moshën 18-muajshe, ai u diagnostikua me një kancer të rrallë të qelizave germinale, i cili më vonë u përhap edhe në mushkëri. Mjekët ishin pesimistë për të ardhmen e tij sportive dhe madje edhe për mundësinë e një jete aktive.

Kam qenë vetëm 18 muajsh kur më diagnostikuan me një kancer të rrallë. Fillimisht u rikuperova, por më pas sëmundja u përhap në mushkëri. Mund të kisha vdekur dhe mjeku tha se kishte pothuajse zero mundësi të bëhesha futbollist profesionist. Por unë sfidova shanset”, deklaroi Nelson për “GIVEMESPORT”.

Pas trajtimeve intensive me kimioterapi, ai arriti të mposhtte sëmundjen dhe të vazhdonte rrugën drejt ëndrrës së tij në futboll. Sot, Nelson dëshiron që historia e tij të shërbejë si frymëzim për të tjerët.

Tani jam në një mision për të ndarë historinë time dhe për të shijuar çdo moment të jetës”, u shpreh ai, duke theksuar se synon të inkurajojë fëmijët dhe të rinjtë që përballen me sfida të vështira.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Nelson iu bashkua klubit Austin FC në Teksas, pas largimit nga Vankuver Uajtkeps. Edhe pse u përball me probleme fizike në fillim të sezonit në MLS, ai arriti të rikuperohej dhe të mbante gjallë shpresën për një vend në kombëtare.

Sipas tij, puna me trajnerin Heze Marsh ka pasur ndikim të madh në zhvillimin e lojës së tij.

Të jem pjesë e skuadrës së Botërorit nën drejtimin e Heze Marsh është një ëndërr. Përpiqem të punoj fort çdo ditë. Ai më ka ndihmuar të përmirësoj intensitetin dhe aspektet teknike të lojës. Besoj se jam tipi i lojtarit që kërkon Heze: i shpejtë, teknik dhe i përkushtuar”, tha Nelson.

Kanadaja do ta nisë rrugëtimin në Grupin B me ndeshjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës, përpara se të përballet me Katarin dhe Zvicrën, në kërkim të suksesit historik në Kupën e Botës.

Nga një diagnozë që rrezikoi jetën e tij në fëmijëri, deri te realizimi i ëndrrës për të përfaqësuar vendin në skenën më të madhe të futbollit botëror, Xhajden Nelson është shndërruar në një simbol të forcës, këmbënguljes dhe triumfit ndaj vështirësive.

xhajden nelson futbollisti kanadez kupa e botës

Lini një Përgjigje