Spanja “mbyt” Francën dhe prek finalen e madhe pas plot 16 vitesh. Pas 2 finalesh radhazi, Franca këtë herë u ndal në gjysmëfinale. Mbape dhe Olize totalisht në hije
Spanja dominon për 90 minuta Francën dhe kualifikohet në finalen e Kupës së Botës pas 16 vitesh. “Furia e Kuqe” mposhti me rezultatin e pastër 2-0 “gjelat”.
Skuadra e drejtuar nga Luis De la Fuente zhbllokoi ndeshjen në minutën e 22. Ishte Mikel Ojarzabal që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Ishte një gabim trashanik i Luaks Dinje, ku pas një topi të gjatë të Mark Kukurejas, mbrojtësi francez bëri një ndërhyrje të pafalshme ndaj Lamin Jamal dhe arbitri nuk pati asnjë dyshim që ishte penallti. Goditi Ojarzabal, Majk Menjo kuptoi krahun, por nuk e shmangu dot golin.
Në minutën e 38, iberikët “flirtuan” me golin e dytë, pas një gafe që nisi nga këmbët e Menjo, por në fund Fabian Ruiz nuk arriti për pak të gjente golin, pasi topi u devijua në fraksionin e fundit nga Dazhot Upamekano.
Spanja e nisi më mirë takimin, duke qenë më aktive që në minutat e para. Në minutën e 8-të, Adrien Rabio pengoi në kufijtë e zonës së rreptësisë Dani Olmon dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Spanja pati një mundësi të mirë shënimi nga goditja e dënimit, por goditja e Aleks Baena ishte shumë e dobët.
Me rezultatin 0-1 u mbyll edhe pjesa e parë e supersfidës së luajtur në “Arlington Texas”.
Në minutën e 58, Spanja realizoi edhe golin e sigurisë. Pas një kombinimi perfekt mes Pedro Porro dhe Dani Olmo, ishte mbrojtësi i krahut që gjeti golin.
Ky është goli i tij i dytë me fanellën e Spanjës pas 23 ndeshjeve. Një vendosje e gabuar e Maksense Lakrua dhe një aksion spektakolar i spanjollëve, soli edhe golin e dytë të këtyre të fundit.
Në minutën e 60-të, Lamin Jamal shënoi një gol spektakolar, por për fatin e mirë të Francës goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Në finale, Spanja do të ndeshet me fituesin e çiftit Angli-Argjentinë, ndeshje e cila do të luhet nesër në mbrëmje në orën 21:00.
Lini një Përgjigje