TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Korrik 2026, 16:18

Skuadra e Serisë A i “vihet pas” Mario Mitajt, Al Itihad vendos pengesën e madhe për mbrojtësin e kombëtares

Shkruar nga Pamfleti
Skuadra e Serisë A i “vihet pas” Mario Mitajt, Al Itihad vendos
Mbrojtësi i kombëtares, Mario Mitaj

Mario Mitaj mund të rikthehet në futbollin italian gjatë kësaj vere, pasi Xhenoa ka shfaqur interes konkret për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Lajmi është raportuar nga eksperti i merkatos, Xhanluka Di Marcio, i cili bën të ditur se klubi i Serisë A ka kërkuar informacion për 23-vjeçarin, por ende nuk ka nisur negociatat zyrtare.

Pengesa kryesore mbetet kërkesa financiare e Al Itihad. Klubi saudit nuk është i gatshëm të heqë dorë lehtë nga Mitaj, pasi e transferoi për rreth 5 milionë euro dhe synon të përfitojë një shumë më të lartë nga shitja e tij. Edhe pse vlera e futbollistit në "Transfermarkt" llogaritet rreth 6 milionë euro, drejtuesit arabë kërkojnë më shumë për të dhënë dritën jeshile për largimin.

Sezoni i kaluar nuk ishte ndër më të lehtët për Mitajn. Ai u përball me vështirësi për shkak të kufizimeve që lidhen me aktivizimin e lojtarëve të huaj në Arabinë Saudite dhe nuk ishte gjithmonë në mesin e zgjedhjeve prioritare të trajnerit. Megjithatë, mbrojtësi shqiptar arriti të grumbullojë rreth 3000 minuta në katër kompeticione, duke ruajtur një rol të rëndësishëm në skuadër.

Xhenoa po vlerëson mundësinë për të afruar lojtarin në këtë merkato, ndërsa vendimi final pritet të varet si nga negociatat mes klubeve, ashtu edhe nga vetë dëshira e Mitajt për të nisur një aventurë të re në Serie A.

Kontrata e mbrojtësit me Al Itihad është e vlefshme deri në verën e vitit 2028.

mario mbrojtësi i kombëtares xhenoa al itihad

Lini një Përgjigje