TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë20 Janar 2026, 10:59

Aferë pas afere: “lideri global” lidh kontratë me Elbit Systems, kompani e pezulluar nga prokurimet e NATO-s

Shkruar nga Pamfleti

Aferë pas afere: “lideri global” lidh kontratë me Elbit

Qeveria ka lidhur një kontratë që vlerësohet afër 1 miliard euro me Elbit Systems për armatim, dronë dhe industri mbrojtjeje, në një moment kur kompania ishte e pezulluar nga prokurimet e NATO-s dhe nën hetime ndërkombëtare për korrupsion, ndërsa vlera dhe financimi i marrëveshjes janë mbajtur të fshehta

Qeveria shqiptare ka zgjedhur të ndërtojë modernizimin ushtarak të vendit mbi një marrëveshje të mbyllur, të lidhur pa transparencë dhe pa debat parlamentar, me kompaninë private Elbit Systems, një aktor qendror i industrisë izraelite të armatimeve, në një moment kur vetë aleatët e NATO-s po e distancojnë këtë kompani për shkak të hetimeve për korrupsion dhe shkelje të rënda të rregullave të prokurimit.

Në mesin e vitit 2025, Kryeministria dhe Ministria e Mbrojtjes e paraqitën publikisht këtë proces si një bashkëpunim strategjik ndërqeveritar me shtetin e Izraelit, duke shmangur qëllimisht faktin se bërthama e marrëveshjes është një kontratë direkte me Elbit Systems, kompani private që furnizon ushtrinë izraelite me artileri, dronë, municione dhe sisteme mbikëqyrjeje, dhe që operon në tregun global përmes kontratave fitimprurëse.

Sipas të dhënave të disponueshme, marrëveshja përfshin furnizimin e Forcave të Armatosura Shqiptare me obusë vetëlëvizës ATMOS 155mm, të prodhuar nga Soltam Systems, filial i Elbit, një sistem artilerie i montuar mbi kamion taktik, me rreze veprimi mbi 40 kilometra kur përdoren municione të avancuara, i projektuar për goditje të shpejtë, zhvendosje të menjëhershme dhe integrim me sisteme dixhitale zjarri.

Në të njëjtën paketë përfshihen mortajat autonome SPEAR 120mm, sisteme me zmbrapsje të butë, të afta për t’u montuar në mjete të lehta, me ekuipazh minimal dhe me aftësi për të kryer qitje precize deri në 10 kilometra, duke i dhënë njësive tokësore shqiptare kapacitete që aktualisht nuk i kanë.

Kontrata parashikon gjithashtu furnizimin me dronë taktikë, konkretisht me modelin Magni-X, një kuadkopter i vogël për zbulim dhe vëzhgim, i aftë të operojë edhe në kushte bllokimi të GPS, si dhe me dronin Thor, një platformë më e rëndë që mund të mbajë municione të vogla dhe të kryejë goditje të kufizuara ajrore, duke i dhënë ushtrisë shqiptare një kapacitet të ri sulmues që deri më sot nuk ka ekzistuar.

Faza fillestare e kontratës parashikon dorëzimin e të paktën 10 njësive dronësh, por dokumentet flasin për një zgjerim të mëvonshëm, i lidhur drejtpërdrejt me ngritjen e kapaciteteve prodhuese në territorin shqiptar.

Një element kyç i marrëveshjes është transferimi i teknologjisë dhe ngritja e linjave të prodhimit për dronë dhe artileri në ish-Uzinën e Bakrit në Rubik, e cila do të shndërrohet në një qendër prodhimi ushtarak, duke e lidhur industrinë e re të mbrojtjes shqiptare drejtpërdrejt me teknologjinë dhe licencat e Elbit Systems.

Në letër, kjo paraqitet si ndërtim i vetëmjaftueshmërisë ushtarake, por në praktikë kjo do të thotë se një kompani private e pezulluar nga NATO do të ketë rol themelor në prodhimin dhe standardizimin e armatimit shqiptar për dekadat e ardhshme.

Një tjetër komponent i kontratës është rihapja e Shkollës së Aviacionit në Vlorë, me një fond publik prej rreth 9.2 milionë eurosh, ku Elbit do të furnizojë simulatorë fluturimi dhe programe trajnimi, duke e kthyer akademinë në një qendër rajonale për pilotë ushtarakë dhe civilë, çka e lidh edhe arsimin aeronautik shqiptar me një kompani që ndodhet nën hetim ndërkombëtar.

Ndërkohë që kjo marrëveshje po finalizohej në Tiranë, Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s vendosi më 31 korrik 2025 të pezullojë Elbit Systems dhe filialin Orion Advanced Systems nga pjesëmarrja në tenderët e rinj të Aleancës, pas një hetimi të gjerë të udhëhequr nga autoritetet belge, në bashkëpunim me disa shtete europiane dhe me Shtetet e Bashkuara.

Hetimi fokusohet në dyshime për ryshfet, manipulim tenderash dhe përfshirje të ish-zyrtarëve të NSPA-së në skema ku kompani private përfitonin kontrata përmes pagesave të paligjshme. Si pasojë, u pezulluan 15 kontrata ekzistuese me vlerë rreth 100 milionë euro, 13 prej të cilave lidhen drejtpërdrejt me Elbit Systems.

Në këtë kontekst merr rëndësi të veçantë rasti i Mbretërisë së Bashkuar, i cili tregon se si partnerët kryesorë të NATO-s kanë reaguar ndaj të njëjtës kompani që Shqipëria po e përqafon pa rezerva.

Qeveria britanike kishte lidhur një kontratë afatgjatë me Elbit Systems për trajnimin e ushtrisë britanike dhe furnizimin me sisteme trajnimi dhe simulimi, një kontratë që arrinte vlerën rreth 2.6 miliardë dollarë. Pas auditimeve dhe verifikimeve të brendshme, autoritetet britanike konstatuan shkelje serioze të rregullave kontraktore dhe të standardeve të prokurimit, duke çuar në anulimin e kontratës dhe në distancimin institucional nga Elbit Systems.

Pra, në të njëjtën periudhë kur Londra anulonte një kontratë miliardëshe për arsye integriteti dhe rreziku reputacional, Tirana po nënshkruante një marrëveshje të re, të mbyllur dhe pa shpjegim publik.

Vlera reale e kontratës shqiptare nuk është bërë kurrë publike. Vlerësimet variojnë nga 400 milionë deri në 1 miliard euro. Burime të shumta flasin për një skemë financimi ku Elbit siguron kredi nga banka ndërkombëtare, ndërsa shteti shqiptar ofron garanci sovrane, çka do të thotë se shlyerja e kredisë, interesat dhe penalitetet eventuale do të bien mbi buxhetin e shtetit dhe mbi taksapaguesit shqiptarë.

Asnjë nga këto elemente nuk ka kaluar në Kuvend, nuk është diskutuar publikisht dhe nuk është shoqëruar me analiza kosto-përfitim, ndonëse bëhet fjalë për sektorin më të ndjeshëm të sigurisë kombëtare.

Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare ka zgjedhur të ndërtojë sigurinë kombëtare mbi një marrëveshje të fshehtë, me një kompani të pezulluar nga NATO, me sekser si Ron Yeffet, mik personal i ''liderit global'' dhe me një barrë financiare që do të rëndojë për dekada.

Ky vendim nuk prek vetëm armatimin, por mënyrën se si merret vendimi në Shqipëri, kush e kontrollon industrinë e mbrojtjes dhe kush mban përgjegjësi kur kontratat mbyllen larg syve të publikut. /Pamfleti

 

elbit systems nato albania kontrata

2 Komente

  1. J
    Jpost

    Se kuptoj cdo rabini me mjeker aty ?

    1. E
      Enver bakri

      Hajde Rama, bravo. U lodhet duke i qa hallin Natos. Me mire keta apo te rrine germadha ato ndertesa qe dikur ishte krenarija e industrise Shqiptare a tani kullosin dhite. Vetem qe keta vijne tregon zgjuarsine e Rames.

      Lini një Përgjigje