TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë28 Mars 2026, 15:52

Bablok, nuk mbulohet dot korrupsioni me shoshë!

Shkruar nga Pamfleti
Bablok, nuk mbulohet dot korrupsioni me shoshë!
BTI si mbulesë, por korrupsioni del në sipërfaqe

Nxjerr një indeks që e rendit lart Shqipërinë, ndërsa Transparency International dhe Departamenti i Shtetit evidentojnë korrupsionin dhe problemet strukturore

Edi Rama publikoi sot të dhënat e Bertelsmann Transformation Index (BTI) 2026, duke e paraqitur Shqipërinë si vendin më të avancuar në rajon për transformimin politik dhe qeverisjen. Kryeministri e cilësoi raportin si një vlerësim që “nuk do ta gjeni në kanale e portale”, duke theksuar renditjen e Shqipërisë me 7.70 pikë në transformimin politik dhe 6.71 në qeverisje.

BTI është një indeks që publikohet çdo dy vjet nga fondacioni gjerman Bertelsmann Stiftung dhe mbështetet në vlerësime ekspertësh për 137 vende. Por pikërisht kjo metodologji ka qenë objekt kritikash të vazhdueshme, pasi rezultatet varen nga perceptime dhe jo vetëm nga tregues të matshëm.

Rama zgjedh të referohet te BTI, por shmang raportet që japin një panoramë tjetër për Shqipërinë.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i Transparency International për vitin 2025 e rendit Shqipërinë me 39 pikë, nga 42 një vit më parë. Vendi ka rënë me 11 pozicione në renditjen globale, nga vendi i 80 në të 91-in mes 180 shteteve. Ky është një nga indikatorët kryesorë ndërkombëtarë për korrupsionin në sektorin publik.

Në të njëjtën linjë është edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve. Dokumenti evidenton korrupsion të përhapur në administratë, drejtësi dhe prokurime publike, konkurrencë të shtrembëruar, ekonomi informale dhe pastrim parash.

Raporti përmend konkretisht mungesën e transparencës në kontratat PPP, analizat e dobëta kosto-përfitim dhe ndryshimet e shpeshta fiskale si faktorë që largojnë investitorët. Shqipëria vijon të mbetet në listën gri të FATF për pastrimin e parave që nga viti 2020.

Pra kemi dy tablo të ndryshme: një indeks që mbështetet te vlerësime ekspertësh dhe që e vendos Shqipërinë në krye të rajonit, dhe disa raporte ndërkombëtare që maten me indikatorë konkretë dhe që evidentojnë rënie dhe probleme strukturore.

BTI nuk është një raport i pavlefshëm, por nuk është as standardi kryesor për të matur korrupsionin apo klimën reale të qeverisjes. Ai mat kapacitetin e transformimit dhe jo domosdoshmërisht rezultatet në terren.

Përzgjedhja e Ramës për të nxjerrë vetëm këtë raport tregon një përdorim selektiv të të dhënave. Në një kohë kur Transparency International dhe Departamenti i Shtetit evidentojnë rënie dhe probleme serioze, një renditje e favorshme nuk mjafton për të mbuluar realitetin.

Debati nuk është për një indeks të vetëm. Është për kontradiktën mes propagandës dhe të dhënave që dalin nga disa burime ndërkombëtare njëkohësisht. /Pamfleti

 

2 Komente

  1. N
    Noci

    Nga sot e mbas mos e quani bablok, qofte edhe me ironi. Kete specie duhet ta quani Batakçi. Behuni zeri i njerezve, refuzojeni kete batakçi

    1. R
      Rok Bici

      KJO THENIE E PAMFLETIT E JEP SHKEQYESHEM PORTRETIN E "BATAKÇIUT" - SI E SUGJERON NOCI-EDI RAMA: Përzgjedhja e Ramës për të nxjerrë vetëm këtë raport tregon një përdorim selektiv të të dhënave. Në një kohë kur Transparency International dhe Departamenti i Shtetit evidentojnë rënie dhe probleme serioze, një renditje e favorshme nuk mjafton për të mbuluar realitetin". SDI PESE E LEJOJM ENDE KET "BATAKÇI" TE NA MOS QEVERIS?? ? ?!!!!!

      Lini një Përgjigje