TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 8 Shkurt 2024, 14:53

Cirk kinez në Ambasadën Amerikane

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Cirk kinez në Ambasadën Amerikane
Ambasada Amerikane /

Edhe Saliu dhe Iliri luajnë cirk kinez para ambasadës amerikane...

Pse Ambasadës Amerikane nuk ja gërvishtin ndjenjat, as krimet e trasha të Bablokut, as kinezëritë e holla të Non-Gratës, Ilir Floririt dhe Lali Erit?

Kjo është pyetja që pret përgjigje nga çdo shqipfolës i ndershëm.

Të tjerat, jo po do mbledhë Altin Dumani skarcitetet e Edi Ramës e do pastrojë mbeturinat e Sali Berishës, jo po muajin tjetër apo javën tjetër do arrestohen Peshq të Mëdhenj, janë ‘lloqe  kavaje’.

Nëse nuk besoni, dilni e fjalosuni me cilindo e binduni.

Akrobatët tanë, e kanë bërë art, cirk kinez mashtrimin, para syve të ambasadës amerikane, sa ju kanë mpirë trurin edhe atyre dhe nuk shihnin as patronazhistët që mashtronin e shisnin viza amerikane me 10 000 euro, duke tharë degët e demokracisë dhe të drejtave njerëzore.

Nëse dikujt i thahet buza, Babloku ja njomë me dollarë.

Andej ku milionat e dollarëve demonstrojnë forcë përballë ligjit të kallajisur me lustër që shkëlqen, nuk shkojnë diplomatët, pasi ende janë duke ndjekur cirkun kinez në amfiteatrin e mafies.

Në këtë fshat, edhe bëhesh bajat, të thuash se të paktën unë, ti, ai dhe ajo, ne ju ata dhe ato, i shohim pasuritë përrallore në Kodrën e Diellit, Gjirin e Lalzit, Kullat e Ndranghetës, Parajsat fiskale, bankat që pastrojnë para droge, investimet strategjike e jetesën magjike të merhumëve. dhe sërish, na mjafton koha të ndjekim edhe cirkun kinez.

Edhe nga një hark tende shikon skena qesharake.

Babloku ka ngelë varur, me litar në fyt, në mes të arenës, teksa vazhdon stërpik me magji ambasadën amerikane, përmes spektaklit me artistin agjent të FBI-së, Charles McGonigal.

Cirk kinez është ky, e droja e këputjes së litarit nën dritat e fuqishme, do të sillte zgjimin prej hipnozës së turmave të rrëmbyera nga pasiguria, për t’u thënë të gjithëve, zhdukuni nga skena maskarenj!

Edhe Saliu dhe Iliri luajnë cirk kinez para ambasadës amerikane.

Para ca muajve, të dy patën aksident.

Babloku, për të mos pasur konkurrent që ambasada amerikane i duartroket, u këputi litarin.

Saliu, si mjeshtër i skenave të moçme e skenarëve të rinj, ngeli kacavjerrë në një grremç që ja kishte ngulur në mur ambasadori William E. Ryerson në fillim të dhjetëvjeçarit të dhjetë të shekullit të kaluar, kurse Likja, u kacarrua kacarrum, si koçan misri, diku nëpër qimet e konopit të Bablokut, që po të bjerë, të bien të dy një herësh.

Herësi i këtyre rreshtave, nuk del 7X7=42, megjithëse edhe Luli luan me rrezikun mbi litar rus, por ngelet prozë për ne dhe cirk kinez për Ambasadën Amerikane./Pamfleti

cirk kinez ambasada amerikane

Lini një Përgjigje