Në fund të ditës, drejtësia e reformuar mund të ketë ndryshuar logon, mund të ketë ndërruar emrat dhe mund të jetë veshur me fjalor europian, por për qytetarin e zakonshëm, ajo është njësoj si më parë vetëm më e ngadaltë, më e shtrenjtë dhe më arrogante.
“Mos flisni për drejtësinë e reformuar, se cenohet besimi, pengohet reforma dhe shqetësohet korrupsioni institucional! (55.000 euro një masë sigurimi, vendimi brenda një ore)”
Në Tiranën e fjalimeve diplomatike, ku konferencat për drejtësinë janë bërë më të shpeshta se vetë vendimet gjyqësore, qytetarëve u kërkohet me tone autoritare dhe theks të huaj që të heshtin.
“Mos flisni për drejtësinë, mos kritikoni gjyqësorin, mos përgojoni prokurorët, sepse cenohet besimi i qytetarëve te drejtësia e reformuar,” tha ditët e fundit Alexis Hupin, përfaqësues i Delegacionit të BE-së në një konferencë zyrtare në Tiranë. Dhe nuk ishte i vetmi që predikoi heshtjen si zgjidhje për problemet.
Dhe kanë të drejtë, qytetarët vërtet po shohin rezultate. Disa madje i shohin shumë shpejt, për aq kohë sa kanë mundësi të paguajnë. Shembull?
Një qytetar në Sarandë, pas dy vitesh që i ishte shmangur drejtësisë, u dorëzua dhe çuditërisht, brenda 1 ore iu ndryshua masa e sigurisë nga arrest me burg në liri. Çfarë e mundi burokracinë shqiptare me këtë shpejtësi? Jo reforma, as ligji, por një pagesë prej 55.000 euro ku, sipas informacioneve, 25.000 euro i mori gjyqtarja dhe 30.000 euro prokurori. Dhe nuk mbaron këtu, qytetarit i kishin kërkuar për të paguar edhe 100.000 euro të tjera për të siguruar pafajësi në procesin gjyqësor. Të gjitha këto, në një sistem që çdo ditë na thuhet se është reformuar, pastruar, forcuar dhe rilindur.
Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, nga ana e tij, shpjegoi me krenari se po bashkëpunon me vendet e BE-së për garantimin e pavarësisë së magjistratëve. Dhe në fakt, kjo “pavarësi” tashmë është evidente, gjyqtarët dhe prokurorët janë të pavarur nga çdo përgjegjësi, nga çdo afat procedural, madje edhe nga vetë qytetari që ka mbetur peng në një sistem të kalbur. Ata janë të lirë të marrin vendime sipas listës së çmimeve, të vonojnë dosje me vite, të “zbardhin” vendime pas 24 muajsh dhe të kërkojnë shpërblime si në tender publik.
Në këtë realitet absurd, ndërkombëtarët vazhdojnë të flasin për një “epokë të re të drejtësisë”, ndërkohë që qytetarët përballen me, çështje civile që zgjasin mesatarisht 15 vjet nga Shkalla e Parë deri në Apel.Vendime që zbardhen pas 2 vitesh, ndërkohë që fati i pronave, familjeve, fëmijëve, mbetet pezull.
Vendime që shiten hapur në zyrat e drejtësisë, me çmime të negociueshme, sipas llojit të shërbimit, garanci pasurore? Ka një çmim. Pafajësi? Ka një tjetër. Zvarritje për të lodhur palën tjetër? Edhe ajo faturë ka.
Dhe kur qytetarët guxojnë të flasin, të denoncojnë apo të raportojnë raste konkrete, menjëherë shpallen si “minues të reformës”. Sepse në Shqipërinë e drejtësisë së re, nuk është problem korrupsioni vetë, por folja për të. Nuk është shqetësuese pagesa për një vendim të favorshëm, por artikulli që e tregon atë. Nuk është dramatike drejtësia me vonesë ose e blerë, por komenti që e ironizon.
Ndërkombëtarët kërkojnë që qytetarët të kenë “besim” te reforma. Por si ndërtohet besimi? Me vonesa pa fund? Me një sistem që punon vetëm për ata që kanë para? Me gjykata që nuk japin drejtësi, por e shesin atë me kontratë gojore? Apo me prokurorë që pyesin më parë për burimin e financimit dhe më pas për provat?
Ironikisht, në vend të drejtësisë që duhet të mbrojë qytetarin nga korrupsioni, kemi ndërtuar një drejtësi që është bashkëpunëtore në korrupsion. Jo më një sistem që lufton padrejtësinë, por një sistem që e shpërndan në mënyrë të barabartë, me përjashtim të atyre që kanë paguar më shumë.
Dhe për këtë realitet të zymtë, qytetarëve u thuhet çdo ditë të heshtin. Të mos flasin. Të mos publikojnë. Të mos denoncojnë. Sepse, përndryshe, “cenohet besimi”. Jo besimi te drejtësia, por besimi te fasada që ka mbuluar një sistem që, pas 8 vitesh reformë, vazhdon të funksionojë si një pazar antik i shekullit të kaluar.
Në fund të ditës, drejtësia e reformuar mund të ketë ndryshuar logon, mund të ketë ndërruar emrat dhe mund të jetë veshur me fjalor europian, por për qytetarin e zakonshëm, ajo është njësoj si më parë vetëm më e ngadaltë, më e shtrenjtë dhe më arrogante.
Me një ndryshim të vetëm, tani nuk guxon as të flasësh. Sepse mund të cënosh një “besim” që askush nuk e ka.
Lini një Përgjigje