TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Korrik 2026, 07:39

BE-ja i hap rrugë 206 mln eurove për Kosovën, Kurti zbulon projektet që do të financohen

Shkruar nga Pamfleti
BE-ja i hap rrugë 206 mln eurove për Kosovën, Kurti zbulon
Albin Kurti

Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë projektesh dhe grantesh me vlerë totale prej rreth 206 milionë eurosh për Kosovën, njoftoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Sipas tij, Komiteti i Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) ka aprovuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, me një vlerë prej 180.5 milionë eurosh. Po ashtu, janë miratuar edhe tri grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me vlerë 25.9 milionë euro.

Megjithatë, fondet nuk mund të disbursohen menjëherë. Ato duhet të marrin fillimisht miratimin formal nga Komisioni Evropian, ndërsa më pas marrëveshja financiare duhet të nënshkruhet dhe ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

Në postimin e tij në Facebook, Kurti theksoi se fondet e IPA-s do të mbështesin sektorët kryesorë të zhvillimit të vendit, përfshirë mjedisin dhe klimën, energjinë, menaxhimin e kufijve dhe migrimin, konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin, qeverisjen e mirë, përafrimin me Bashkimin Evropian, si dhe sundimin e ligjit.

Ai bëri të ditur se afro gjysma e shumës së miratuar do të dedikohet për investime infrastrukturore, ndërsa shumica e projekteve do të realizohen në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet e Kosovës.

“Rreth gjysma e fondeve do të shkojnë për investime infrastrukturore. Shumica e projekteve do të realizohen në kombinim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet tona”, tha Kurti.

Sa i përket granteve të WBIF-së, ato do të financojnë investime në rehabilitimin e hidrosistemit Ibër-Lepenc, segmentin rrugor Qafë e Duhlës–Banullë dhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, ky i fundit në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Kosova është përfituese e fondeve të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit që prej vitit 2007. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2022 vendi ka përfituar gjithsej 1.21 miliardë euro përmes programeve IPA I dhe IPA II.

be fond albin kurti

Lini një Përgjigje