Ish-deputeti i PS-së, me çështje penale që nga 2003 për kontrabandë armësh e droge, vjedhje tokash në bregdet, falsifikim diplomash dhe përfshirje në skandalin 'Bankers' si fshehës i evazionit 5 miliardë euro; u shfaq në podium pranë Ramës e ministrit të Drejtësisë si Anëtar Bordi i Shoqatës Botërore të Jurisprudencës (WJA), i propozuar unanimisht nga Qeveria, Gjykata Kushtetuese dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ndërsa SPAK nuk e ka çuar asnjëherë para drejtësisë...
Hajdutët e pasurive dhe fondeve publike, funksionarë të lartë të pushtetit të PS-së të lidhur edhe me krimin, jo vetëm nuk janë ndëshkuar nga drejtësia, por përfaqësojnë Shqipërinë në organizmat ndërkombëtare të drejtësisë.
I tillë është ish-deputeti Alket Hyseni, i cili u shfaq si përfaqësues i Shtetit Shqiptar në podiumin e Kongresit Botëror të Ligjit, që u mbajt në Tiranë nga Shoqata Botërore e Jurisprudencës (WJA), ndërkohë që është subjekt i drejtësisë.
Ai ishte në krahë të kryeministrit Edi Rama, të Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, të Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja, të drejtuesve të institucioneve të larta dhe prokurorëve e gjyqtarëve të drejtësisë shqiptare e disa shteteve pjesë e kësaj shoqate.
Sipas protokollit të punimeve të Kongresit Botëror të Ligjit, hajduti Alket Hyseni ishte organizator i këtij kongresi në Tiranë, si Anëtar Bordi i Shoqatës Botërore të Jurisprudencës (WJA), përfaqësues i drejtësisë shqiptare, nëpërmjet zyrës juridike "Straife Balkan" në pronësi të tij, por të regjistruar si biznes në emrin e babait 85-vjeçar, Namik Hyseni.
Ai është zgjedhur Anëtar Bordi dhe përfaqësues i Shqipërisë në Kongresin Botëror të Ligjeve, i propozuar me unanimitet nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Pjesë e Shoqatës Botërore të Jurisprudencës (WJA) dhe e kongresit të saj janë drejtues shtetesh, institucionesh drejtësie, gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe profesionistë të ligjit nga e gjithë bota, me një qëllim të vetëm: forcimi i shtetit ligjor kundër krimit dhe transparenca e barazia ligjore.
Është skandal e turp, që përfaqësues i Shtetit dhe Drejtësisë Shqiptare në këtë organizëm ndërkombëtar është ish-deputeti i PS-së, Alket Hyseni, me disa dosje penale, si i përfshirë në afera gjatë ushtrimit të detyrave shtetërore dhe i lidhur me krimin.
Emri i Alket Hysenit doli në hetimet për kompaninë "Bankers", si pjesë e skemës së falsifikimeve e mashtrimeve fiskale, nga të cilat përfitoi 6 milionë euro pagesa fiktive, kur ishte Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave në Kryeministri, duke u mundësuar të tjerëve të fshehin evazionin fiskal dhe pastrimin e parave.
Alket Hyseni është me dosje penale për vjedhje tokash publike e private, korrupsion dhe lejim kontrabande e trafikimi droge e armësh; ka qenë shef dogane në Kakavijë, Drejtor i Task-Forcës së Qeverisë për Tokat në Bregdet, përfaqësues juridik i kompanive të importit të karburanteve dhe Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.
Çështja e parë penale iu regjistrua në tetor 2003, kur ishte përgjegjës në Doganën e Kakavijës dhe lejonte kontrabandën e mallrave dhe armëve.
Dy çështje të tjera iu regjistruan në qershor 2010 dhe tetor 2011, kur ishte Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Durrësit, për falsifikim notash dhe dhënie diplomash false kundrejt ryshfeteve.
Dy çështje të tjera iu regjistruan në vitet 2014–2016 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për vjedhje tokash në bregdet me dokumente false, gjatë kohës që ishte Drejtor i Task-Forcës për Pronat; ndërsa para 1 viti doli në dosjen penale "Bankers" si fshehës i evazionit 5 miliardë euro.
Për këto dosje penale, mafiozi Alket Namik Hyseni jo vetëm nuk është çuar asnjëherë para drejtësisë as nga SPAK, por përfaqëson Shtetin dhe Drejtësinë Shqiptare, si Anëtar Bordi në Shoqatën Botërore të Jurisprudencës (WJA) dhe në kongreset e saj, ku ligjëron për forcimin e shtetit ligjor, barazinë para ligjit dhe luftën kundër krimit global./Pamfleti
Lini një Përgjigje