
Termat fyese të Edi Ramës nuk janë thjesht gafë elektorale, por strategji cinike për mobilizimin e turmave që mbajnë në këmbë pushtetin e filtruar nga krimi. Në këtë fushatë të dominuar nga ironia dhe arroganca, votat po blihen me meme dhe sarkazma, ndërsa qytetarët mbeten spektatorë të parlamentit të ardhshëm ku pritet të bashkëjetojnë hajdutët, cubat dhe bufat e kënetës.
Termat çyrykë, autikë, buf kënete, hajdutë, cuba e kriminelë nuk janë vetëm shkelje të etikës publike apo thyerje të moralit politik. Ato janë erë ironie që injorantët përdorin për të ngritur lart flamurin mobilizues në luftën për zhbllokimin e filtrave të falangave të krimit. Të vetmit që fyen me të drejtë janë personat ndryshe, sepse secili prej nesh, në një mënyrë apo në një tjetër, mund të jetë njëri prej tyre.
U lëndua sedra e një shoqërie nga një budalla që s'pushon së ngacmuari as plagët e veta.
Fatkeqësisht, autik në sjellje edhe vetë, Babloku ndaloi vrapin, u kthye aty ku ishte dikur dhe bëri atë që bën zakonisht një çyryk politik. I dëmtuar rëndë nga trupi i vet politik, pasi 33 ministra ia ka prekur sëmundja kronike e hajdutërisë, i kalbur nga qëndrimi i gjatë në karrigen e pushtetit, ngriti duart lart dhe i futi gishtat në algoritmin përçmues të rrjeteve sociale, për t’i kërkuar falje çdo autiku.
Por familjes së madhe të çyrykëve, bufave, hajdutëve, cubave dhe kriminelëve, kësaj epopeje të sarkazmës së fshatit tonë politik, Babloku nuk i ulet në gjunjë. Ndryshe, filtrat e falangave të krimit do të bllokoheshin, dhe zgjedhjet e 11 majit nuk do të mbeteshin një abort me çengela në mitrën e fasadës politike shqiptare.
Tonet sulmuese, plot arrogancë dhe pa pikë ndjeshmërie, këto ditë po eksplorojnë çdo vrimë vote nëpër konturet e piramidës së sharjeve, të stërpikura kudo me ujin e bekuar të përçmimit.
Votat, këtë herë, po blihen edhe me meme.
As SPAK-u nuk ka çfarë të bëjë, pasi secili prej tyre është "në rregull" me ligjin. Në fund, si gjithmonë, të gjithë fitojnë, dhe në parlamentin e ri do kemi sërish edhe çyrykë, autikë e bufa, por edhe hajdutë, cuba e kriminelë.
Më thoni, pra, çfarë mund të bëjë më tepër Edi Rama sesa të shpëtojë demokracinë nga vetvetja?
Sepse, në fund të fundit, të gjithë janë njësoj.
Kostumet e qepura sipas rendit në listat e sigurisë na sigurojnë veç pasigurinë në debatin publik me monologë të zjarrtë dhe mikrofonë të thyer edhe pas 11 majit. Për aq kohë sa këtu pemët shkunden me erë ironie, kokrrat i vjelin ata që qëndrojnë afër qeverisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje