Ata nuk ndahen kurrë me vepra, vetëm me fjalë. Rama mban pushtetin, Berisha garanton pazarin – dhe Shqipëria ngelet peng mes dy stilistëve që riciklojnë njëri-tjetrin përjetësisht…
Sikletin më të madh që opozita nuk vjen në pushtet dhe qeveria është salduar në karriget e krimit, e ndjejnë ata që nuk dinë më kë të urrejnë më parë. Atyre që pyesin: cili është më pis; Sali Berisha apo Edi Rama? Dhe kjo nuk është thjesht një pyetje moraliste. Është simptomë. Është pasqyrë e një shoqërie që nuk zgjedh dot, sepse nuk i besohet asnjë alternative. Një shoqëri që e ndjen veten peng mes dy figurave që sulmojnë njëri-tjetrin me fjalë dhe mbrojnë njëri-tjetrin me vepra.
Kjo vuajtje kolektive, në masën e gjerë që është e lodhur nga të dy, jeton vetëm një ditë. Madje vetëm një minutë. Aq sa u duhet të mbushin fletën e votimit, ta palosin dhe ta shtyjnë me gisht në kuti. Më pas, vazhdojnë jetën në moçalin poshtë këmishës së syrit, atje ku çdo gjë është zhul dhe çdo mendim për ndryshim, kthehet në një psherëtimë të heshtur. Dhe i vetmi kanal kullimi është dëshira për një shpëtimtar. Një mjek. Një figurë që nuk vjen nga partia, por nga thellësia e dëshpërimit kolektiv. Por as ai nuk shihet më.
Sepse pis është njëri, pis është tjetri. Por sytë, për inerci, për zakon, për mungesë shprese, ngulen tek opozita. Aty kërkohet shpëtimi. Aty projektohet ndryshimi. Dhe pikërisht aty ndodh goditja më e rëndë. Kandidimi i llumit të shoqërisë për deputetë, i njerëzve që janë halë në sy e plagë në shpirt për shqiptarët, ka ulur besueshmërinë ndaj opozitës në nivele të dhimbshme. Ka ndihmuar madje edhe për të pastruar qeverinë e pistë të Edi Ramës, duke krijuar një iluzion të neveritshëm se “më mirë ky që po vjedh qetë, sesa ata që do vjedhin si bisha”.
Sepse e keqja që i ka zënë të gjithë shqiptarët ka fituar terren. Dhe sot, jo LaCivita, por edhe Jezu Krishti vetë, do ta kishte të vështirë ta ndalojë këtë makineri që i bluan votat si mish të gjallë për të ushqyer shpresat naive të një populli të pambrojtur. Sepse të gjithë e dime, e pranojmë me gjysmë zëri, se Edi Rama e mposhti opozitën me ndihmën e Sali Berishës. Nuk ka dilemë për këtë. Qeveria nuk ka as strategji, as vizion, as qëllim tjetër përveç mbajtjes me çdo kusht. Por opozita i dha armët. I dha arsyen. I dha përballjen që e bënte fitues me vetë faktin se ishte më pak e neveritshme në krahasim.
Kandidimi i hajdutëve me zë e figurë, i individëve me dosje të hapura, është skandali që Sali Berisha e ka kthyer në strategji. Sepse nuk ka më hallin e pushtetit, ka hallin e pasurisë. Dhe mënyra më e sigurt për ta ruajtur atë, është ta mbajë Ramën në pushtet, si garantin më të mirë të status quo-së. E gjithë kjo që ndodh nuk është më lojë. Është marrëveshje. E zbatuar me dorë të hekurt nga dy pitbullë politikë, që dikur u ushqyen në të njëjtën kafaz amerikan: Sorosi dhe McGonigal. Sot, ata e luajnë rolin e armiqve, por nuk e lënë njëri-tjetrin të bjerë.
Sepse e dinë që rënia e njërit, do të tërheqë tjetrin pas. Berisha dhe Rama janë dy skaje të së njëjtës telajo. E sulmojnë njëri-tjetrin për t’i dhënë popullit iluzionin e konfliktit. Por në veprime, në marrëveshje të heshtura, në pazare të nënkuptuara, e mbrojnë njëri-tjetrin pa asnjë dilemë. E kanë ndarë mirë skenën: njëri ulërin për moral, tjetri për stabilitet. Por të dy janë vetëm aktorë që performojnë në pasarelat e një politike që parfumoset me deodorantin perëndimor dhe vishet me kostumin e moralit lindor. Dhe poshtë kostumit? Morra.
Votuesit janë të vetmit që digjen. Sepse të dy sheikët ndezin zjarre mes grupeve shoqërore, fukarenj kundër të mesëmve, periferikë kundër qytetarëve dhe pastaj vijnë vetë t’i shuajnë, sa për të justifikuar qëndrimin në pushtet. Sepse vetëm në kaos justifikohet mungesa e rotacionit. Dhe edhe këtë herë, si çdo herë tjetër, pushtetin e fituan të dy. Rama mori karrigen, Berisha mori pazarin. Dhe kështu vazhdon.
Në fund, Saliu dhe Edi mbeten dy stilistë të përjetshëm të krimit politik. Të mësuar të blejnë gjithçka: nga pasuritë, te heshtjet. Dhe sot e blejnë edhe shpëtimin e njëri-tjetrit. Ky është realiteti. Dhe çdo votë e ndershme që bie në kuti, është thjesht një dekor për një shfaqje që është shkruar prej kohësh. Dhe që nuk ka fund tjetër, përveçse talljes me shpresën./Pamfleti
Lini një Përgjigje