TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë11 Maj 2025, 17:02

Bordello!

Shkruar nga Pamfleti
Bordello!
Edi Rama dhe Termet Peçi /

Kush është bordelloja: e djeshmja e profesorëve, apo 'rilindja' e zvarranikëve?

Në një deklaratë cinike gjatë emisionit “Top Story”, kryesocialisti Edi Rama, i akuzuar se ka shkatërruar identitetin e Partisë Socialiste, u përgjigj me një etiketim provokues: “PS-ja para meje ishte parti bordello”.
Një fjali që do të kishte kaluar si batutë, nëse nuk do të përfaqësonte arrogancën tipike të një njeriu që e gjeti partinë të ngritur dhe e shndërroi në organizatë personale klienteliste, ku nuk mbijeton më as ideologjia, as morali, as përfaqësimi dinjitoz.

PS para Ramës: parti e profesorëve, jo “bordello”

Është fakt që pas reformimit në vitin 1991, Partia Socialiste pati një fazë të vështirë tranzicioni, por nga mesi i viteve ’90 deri në 2005, u drejtua nga personalitete të fushës akademike, kulturore dhe politike, që e konsoliduan si një forcë serioze me identitet europian.

Emrat që qëndruan në krye të PS-së – Fatos Nano, Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Et’hem Ruka, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Sabit Brokaj, Moikom Zeqo, Spartak Poçi, Luan Rama, Arben Malaj, dhe shumë të tjerë – ishin figura me profil intelektual, të shkolluar, me etikë institucionale dhe autoritet profesional.

Kjo ishte PS-ja që Edi Rama e gjeti gati, e ndërtuar me sakrifica përballë një regjimi represiv, e rritur me idealizma sociale dhe vizion europian.

Rama nuk e reformoi PS-në: e pushtoi dhe e zhveshi

Që prej vitit 2005, kur Edi Rama mori me marifete drejtimin e partisë, filloi spastrimi sistematik i profesorëve dhe zëvendësimi me servilë, klientë, trafikantë, analfabetë funksionalë dhe emra të inkriminuar.

Në vend të ish-ministrave e deputetëve të respektuar, Rama mbushi partinë dhe qeverinë me njerëz si Endri Fuga, Ëngjëll Agaçi, Bledar Çuçi, Eduard Shalësi, Mirela Kumbaro, Rakip Suli, Elvis Roshi, Aqif Rakipi, Tërmet Peçi, Agim Kajmaku, dhe një galeri personazhesh që përfaqësojnë arrogancën, korrupsionin dhe lidhjen me botën e krimit.

Ai e zhveshi partinë nga programi dhe ideologjia, i hoqi vlerat socialdemokrate dhe e shndërroi në një mjet për pushtet absolut, ku çdo vendimmarrje kalon nga zyra e tij.

Kush është bordelloja: e djeshmja e profesorëve, apo Rilindja e zvarranikëve?

Nëse PS-ja e para 2005-s ka qenë “bordello”, siç thotë Rama, atëherë ai duhet të sqarojë pse e trashëgoi dhe e përdori për të ardhur në pushtet, e pse e mbushi me figurat më të errëta dhe të komprometuara të politikës shqiptare.

Në fakt, nëse ka ndonjë moment ku PS-ja u kthye në një organizatë me përbërje të dyshimtë, ai fillon me futjen e vetë Edi Ramës në parti dhe kapjen graduale të strukturave: nga Ministria e Kulturës, te Bashkia e Tiranës, dhe më pas te drejtimi i PS-së.

Pikërisht atëherë filloi bordellizimi i vërtetë i kësaj partie, ku bindja ndaj liderit u bë më e rëndësishme se meritokracia, servilizmi më shumë se ideja, dhe mediokriteti më shumë se ekspertiza.

Dhe ish-drejtuesit e PS-së, a do heshtin?

Është koha që figurat e vërteta të së majtës shqiptare të mos heshtin më përpara kësaj fyerjeje kolektive. Edi Rama nuk mund të fyejë publikisht një brez të tërë personalitetesh që formësuan PS-në si një parti europiane, ndërkohë që vetë e ka reduktuar në një organizatë pa debat, pa vlera dhe pa busull.

Sepse pyetja është e thjeshtë:
Kush është “bordello” – PS-ja e të diturve dhe njerëzve me integritet, apo ajo që sundohet sot nga padroni dhe klientela e tij kriminale?/Pamfleti

bordello edi rama termet peçi

Lini një Përgjigje