
Morali, në këtë vend, është mall që shitet lirë para zgjedhjeve dhe blihet shtrenjtë pas tyre.
Edi Rama është sot hajduti më i famshëm i Shqipërisë, por jo shpikësi i hajdutërisë. Që kur u krijua ky shtet; nga bajraktari te ministri, nga prefekti te kryeministri, vjedhja ka qenë flamuri i vetëm që është mbajtur lart pa e ulur kurrë në gjysmështizë.
Kush nga zyrtarët e shtetit nuk vodhi? Kush nuk ndërtoi saraje me taksat e të varfërve, ndërsa këta të fundit mezi mbajnë frymën gjallë nëpër Shqipërinë e harresës? Politika shqiptare, si një cirk i përgjakur, rikthehet në skenë çdo katër vjet për të luajtur aktin grotesk të fushatës, ku të njëjtët fytyra, të njëjtat premtime, të njëjtat gënjeshtra shpërndahen si karamele për fëmijët e verbër që shpresojnë ende.
Shëmtia, po fluturon edhe këtë pranverë, si bletët, ‘lule më lule’ dhe ‘derë më derë’, duke shpërndarë nektarin helmues të premtimeve që do të zgjasin katër vjet si një dimër i madh. Ulja e çmimeve, rritja e pensioneve, lehtësimi i taksave e mbështetja për të rinjtë, janë fjalë që dalin nga gojët e ndyra të atyre që për katër muaj lëpihen e servilosen, dhe për katër vjet zhduken në luksin e tyre, duke fërshëllyer me përçmim në veshët e atyre që i votuan. Kush nuk bëhet qyq, bëhet autik. Dhe kush nuk hesht, digjet.
Pyetja që dëgjojmë çdo ditë është: kë do të mundë Sali Berisha? Edi Ramën? Apo ndoshta Yuri Kim? Por pyetja e vërtetë është kjo: kush do të flasë për të vërtetën? As Berisha nuk e çon në SPAK dosjen e Parisit për Ramën, as 200 milionë dollarët në parajsat fiskale të vitit 2014, as pasuritë e të vëllait Olsi, as rrjetin e financimit me familjarë të kryeministrit. Po kështu, edhe Rama nuk e përmend Shkëlzenin, as sheikët e Berishës, as vilat në Lalz, as pallatet që janë ndërtuar me paratë e tenderëve të së kaluarës.
Morali, në këtë vend, është mall që shitet lirë para zgjedhjeve dhe blihet shtrenjtë pas tyre. Këtu politika është një skenë ku hajdutët e vjetër që ishin dikur deputetë, ulen në sofrën e njëjtë me kandidatët e rinj që duan të bëhen hajdutë. Të gjithë bashkë, të bashkuar për të ndarë plaçkën. Dhe populli? Populli ndjek këtë shfaqje si një turmë e lodhur që ka harruar edhe të shajë. Hajduti është bërë pjesë e zakonshme e peizazhit. Si një pemë që s’mban më fruta, por ka hijen e vet.
Duket se dora dorës, edhe kjo lojë ndërkombëtare po e le Berishën e Ramën të kalojnë mes tymit e zjarrit të zemërimit popullor, drejt një pushteti të ri, por me të njëjtat duar.
Ky vend nuk ka më zgjedhje. Ka vetëm riciklim të maskave. Sot voton për hajdutin që të pëlqen më shumë, jo për njeriun që do të ndryshojë diçka. Sepse këtu nuk kërkohet drejtësi, por hakmarrje. Nuk votohet për programe, por për patronazhistin që të ofron një thes me miell, një vend pune për kushëririn, ose një nder për hallën që ka vite në radhë. Demokracia është kthyer në një kazan ku krimi dhe politika kanë hedhur erëzat e tyre. Dhe kjo është çorba që na serviret për mëngjes, drekë e darkë. Çdo katër vjet./Pamfleti
Lini një Përgjigje