Pushtetarët me vila e makina luksi, SPAK nuk shkon dot te pasuritë
Raporti vjetor i SPAK për vitin 2025 nxjerr në pah një diferencë të madhe mes hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë dhe rezultateve konkrete në konfiskimin e pasurive të tyre. Edhe pse në radarët e Prokurorisë së Posaçme kanë qenë disa nga figurat më të njohura të politikës shqiptare, pasuritë e pushtetarëve duket se mbeten pothuajse të paprekura.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 vlera e pasurive të sekuestruara që lidhen me zyrtarët e lartë arrin rreth 1.1 milion euro, ndërsa pasuritë e konfiskuara përfundimisht janë vetëm rreth 100 mijë euro. Kjo shifër konsiderohet shumë e ulët në raport me pasuritë që deklarojnë ose që u atribuohen në publik shumë politikanëve dhe zyrtarëve të nivelit të lartë.
Në vitet e fundit, SPAK ka zhvilluar hetime apo procese gjyqësore ndaj disa figurave të rëndësishme politike, mes tyre ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-ministri Fatmir Mediu, por edhe ndaj disa kryetarëve bashkish, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Megjithatë, raporti tregon se goditja ndaj pasurive të tyre, që konsiderohet një nga instrumentet më të forta në luftën kundër korrupsionit, mbetet shumë e kufizuar.
Ndërkohë, situata paraqitet ndryshe për çështjet që lidhen me krimin e organizuar. Sipas raportit, gjatë vitit 2025 vlera e pasurive të sekuestruara për këtë kategori veprash penale arrin rreth 42.4 milionë euro, ndërsa vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 1.8 milionë euro.
Në total, gjatë vitit 2025, vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara nga SPAK arrin në rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 43.49 milionë euro janë pasuri të sekuestruara, ndërsa vetëm rreth 1.91 milionë euro janë konfiskuar përfundimisht. Në këtë vlerë përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit Tether (USDT) me vlerë ekuivalente rreth 12.4 milionë euro.
Raporti tregon gjithashtu se gjatë vitit 2025 vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara është më e ulët krahasuar me vitin paraardhës. Në vitin 2024 kjo shifër arrinte rreth 65 milionë euro, ndërsa një vit më pas ka rënë në rreth 45.4 milionë euro.
Sipas SPAK, diferenca mes pasurive të sekuestruara dhe atyre të konfiskuara përfundimisht lidhet edhe me faktorë objektivë, si kohëzgjatja e proceseve gjyqësore deri në marrjen e vendimeve të formës së prerë dhe kompleksiteti i hetimeve financiare. Institucioni thekson se gjatë kësaj periudhe është rritur përdorimi i masave të posaçme të hetimit dhe është forcuar qasja ndaj hetimit financiar paralel, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për gjurmimin dhe rikuperimin e pasurive.
Megjithatë, raporti evidenton se gjatë vitit 2025 nuk ka pasur sekuestrime apo konfiskime në kuadër të Aktit Normativ (OFL), ndërsa gjithashtu nuk rezulton të ketë vendime për sekuestrimin e pasurive në lidhje me vepra penale të korrupsionit të thjeshtë. Këto të dhëna kanë rikthyer në vëmendje edhe debatin për efektivitetin e mekanizmave të kontrollit të pasurive të zyrtarëve publikë, përfshirë rolin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Lini një Përgjigje