Draft-raporti i Parlamentit Europian zbardh plagën e vjetër të tranzicionit shqiptar: një media e ekspozuar ndaj presionit politik, ekonomik dhe institucional...
Draft-raporti i fundit i Parlamentit Europian për Shqipërinë nuk përdor gjuhë diplomatike për të zbukuruar realitetin. Përkundrazi, ai vendos gishtin në një nga plagët më të ndjeshme të demokracisë shqiptare: lirinë e medias.
Në një kohë kur Tirana zyrtare flet për “kapituj të hapur” dhe “reforma të konsoliduara”, Brukseli sinjalizon se pluralizmi mediatik, transparenca e pronësisë dhe mbrojtja e gazetarëve mbeten problem serioz.
Shqetësimi nuk është teorik. Shqipëria po përballet me një fenomen alarmant: numrin në rritje të padive gjyqësore ndaj gazetarëve dhe mediave. Të ashtuquajturat padi për shpifje, por edhe procese të tjera civile e penale, po kthehen në instrument presioni. Edhe kur nuk përfundojnë me dënim, ato konsumojnë kohë, energji dhe burime financiare, duke krijuar një klimë frike dhe vetë-censure. Në vend që gjykatat të jenë garanci për balancë mes reputacionit dhe interesit publik, ato shpesh perceptohen si arenë ku pushteti politik apo ekonomik teston nervat e medias kritike.
Kjo panoramë bëhet edhe më e ndërlikuar kur në skenë hyn vetë drejtësia e re. Rasti i gazetarit Elton Qyno përballë Prokurorisë së Posaçme është emblemë e një tensioni të ri institucional. Kontestimi i burimeve gazetareske dhe ndërhyrjet që prekin sekretin profesional kanë ngritur pikëpyetje serioze: deri ku shkon e drejta e hetimit dhe ku fillon kufiri i paprekshëm i lirisë së medias? Nëse një gazetar vihet nën presion për shkak të publikimit të informacionit me interes publik, mesazhi që i dërgohet gjithë komunitetit mediatik është i qartë; kufijtë e tolerancës janë të ngushtë.
Paradoksi është i fortë: ndërsa SPAK-u është ndërtuar si simbol i luftës kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, çdo perceptim se ai mund të cënojë standardet e lirisë së shprehjes rrezikon të minojë legjitimitetin moral të reformës në drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e medias nuk janë objektiva konkurruese; ato janë dy shtylla të së njëjtës arkitekturë demokratike. Dobësimi i njërës e rrëzon tjetrën.
Draft-raporti i Parlamentit Europian nuk kërkon privilegje për gazetarët. Ai kërkon standarde europiane: transparencë në pronësinë e mediave, hetim të çdo rasti kërcënimi apo intimidimi dhe garanci reale për pluralizëm. Në një treg të vogël si ai shqiptar, ku pronësia mediatike shpesh ndërthuret me interesa të mëdha ekonomike dhe kontrata publike, pavarësia editoriale mbetet e brishtë. Kur kësaj i shtohet pesha e gjyqeve të shumta dhe precedentë si rasti Qyno, tabloja bëhet edhe më shqetësuese.
Për Shqipërinë që aspiron integrimin europian, mesazhi është i qartë: liria e medias nuk është dekor institucional për raportet vjetore, por test i drejtpërdrejtë i maturisë demokratike. Nëse gazetarët ndihen të pambrojtur, nëse gjykatat shndërrohen në mjete presioni dhe nëse prokuroria perceptohet si kërcënim për burimet konfidenciale, atëherë narrativa e reformës zbehet. Brukseli e ka artikuluar shqetësimin; tani radha është e institucioneve shqiptare të dëshmojnë se e kuptojnë se pa media të lirë, nuk ka as drejtësi të besueshme dhe as integrim të qëndrueshëm./Pamfleti
Pronaret e mediave duan privilegjet dhe parate me tufa nuk e kane prioritet gazetarine e mirefillte Respekt per Pamfleti Joq Lapsi per artikujt pa censure dhe disa podcast-e te pa censuruara te tjeret mbushin xhepat... ndoshta te gjithe marrin pagesa por vetem keto 3 nuk censurojne pa dallim majtas djathtas
Tashi se ju ndjek kam kohe, por ke rasti qe po flisni ky gazetari i kup duke kerku lek me heq lajme, biles e pranoj ne gjykate , spo e kuptoj pikpamjen tuaj mbi ket ceshtje .