Diplomaci me aeroplanmbajtëse: A po negociohet paqja apo po numërohen sekondat deri te përplasja?
Bisedimet midis Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani, që po zhvillohen në Gjenevë nën ndërmjetësimin e Omanit, janë një paradoks klasik i diplomacisë moderne: dialog në tryezë, demonstrim force në terren.
Ndërsa delegacionet komunikojnë në mënyrë indirekte për programin bërthamor, në horizont qëndrojnë aeroplanmbajtëset amerikane dhe stërvitjet raketore iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Paqja, në këtë kontekst, nuk negociohet në një mjedis besimi, por në një klimë presioni të ndërsjellë.
Administrata e drejtuar nga Donald Trump ka zgjedhur strategjinë klasike të “presionit maksimal plus diplomaci”. Mesazhi është i qartë: ose një marrëveshje që kufizon ndjeshëm programin bërthamor iranian, ose rritje e kostos strategjike për Teheranin.
Nga ana tjetër, Irani nuk negocion nga pozita kapitullimi. Ai kërkon heqje sanksionesh dhe njohje të të drejtës për pasurim uraniumi për qëllime civile. Hendeku mes palëve nuk është teknik, por politik dhe psikologjik.
Sa janë realisht shanset për paqe?
Në diplomaci, paqja nuk është ideal, por rezultat i balancës së interesave. Sot, as Uashingtoni dhe as Teherani nuk kanë interes për luftë të hapur.
SHBA përballet me një arkitekturë globale të tensionuar; nga Ukraina në Azi, dhe një konflikt i drejtpërdrejtë me Iranin do të destabilizonte tregjet energjetike dhe do të zgjeronte krizën rajonale.
Irani, nga ana tjetër, përballet me presion ekonomik të brendshëm dhe pakënaqësi sociale; një përshkallëzim ushtarak do ta rëndonte më tej situatën.
Por mungesa e interesit për luftë nuk përkthehet automatikisht në marrëveshje.
Problemi thelbësor është besimi. Marrëveshja e mëparshme bërthamore u rrëzua nga politika amerikane e viteve të fundit, duke e bërë Teheranin skeptik ndaj çdo garancie të re.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni nuk është i gatshëm të pranojë një marrëveshje që shihet si e dobët apo e përkohshme. Pra, të dyja palët kërkojnë një fitore strategjike pa bërë lëshime që perceptohen si dobësi.
Në terma të ftohtë diplomatikë, probabiliteti i një marrëveshjeje minimale është më i lartë se ai i një konflikti të menjëhershëm.
Një “marrëveshje e ndërmjetme”; ngrirje e pasurimit në nivele të caktuara në këmbim të lehtësimit të pjesshëm të sanksioneve, është skenari më realist. Por një marrëveshje e plotë, që adreson programin raketor dhe ndikimin rajonal të Iranit, mbetet aktualisht jashtë horizontit.
Paqja në këtë rast nuk do të jetë produkt i afrimit ideologjik, por i lodhjes strategjike. Është një paqe e ftohtë, e kushtëzuar, e brishtë. Nëse negociatat dështojnë, përshkallëzimi nuk do të vijë domosdoshmërisht në formën e një lufte klasike, por përmes incidenteve të kontrolluara, sulmeve indirekte dhe presionit ekonomik të shtuar.
Në fund, tryeza e Gjenevës nuk është vendi ku lind entuziazmi për paqe. Është vendi ku matet frika nga lufta. Dhe për momentin, frika duket më e fortë se vullneti për përplasje. Kjo është arsyeja pse diplomacia ende ka një shans; jo sepse palët besojnë te njëra-tjetra, por sepse kostoja e dështimit është shumë e lartë për të dyja./Pamfleti
Lini një Përgjigje