Presidenti serb, në panik, kërkon shpëtim në SHBA, por rrëshqet në kundërthënie që ekspozojnë krizën e thellë politike në Beograd
Në vetëm 48 orë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka dhënë dy deklarata që e kanë vënë në pozitën më të dobët diplomatike të dekadës së fundit.
Fillimisht, ai akuzoi protestuesit në Beograd se janë në kontakt të drejtpërdrejtë me punonjës të ambasadës amerikane, një deklaratë që rezonon me retorikën e vjetër anti‑perëndimore që Serbia e përdor sa herë bie në kriza të brendshme.
Dhe vetëm pak orë më vonë, Presidenti del publikisht dhe shpreh se “dikush nga jashtë” nuk dëshiron që Serbia të ketë marrëdhënie më të mira me administratën e SHBA-së, duke e fajësuar në mënyrë të tërthortë Perëndimin për sabotimin e lidhjeve me Donald Trump. Kjo lojë me dy anë tregon më shumë për hallin e tij të brendshëm sesa për ndonjë strategji reale gjeopolitike.
Vuçiç sot nuk ka një politikë të jashtme, ai ka vetëm një taktikë mbijetese. Dhe kjo mbijetesë po mbështetet gjithnjë e më shumë në një narrativë të stërpërdorur, ku SHBA del si armiku i brendshëm, organizatori i protestave, dirigjenti i destabilitetit. Kjo është e njëjta retorikë që regjimet autoritare përdorin kur dështojnë të kontrollojnë rrjedhën politike në vend: “faji është i të huajve”. Por kontradikta është e dukshme; si mundet ambasada amerikane të jetë njëherësh sabotatore e stabilitetit dhe njëkohësisht pala që Vuçiç kërkon marrëdhënie më të mira me të?
Këto deklarata janë sinjal alarmi për një lider që po humb terren. Të dyja janë bërë për audiencë të brendshme, në përpjekje për të shmangur goditjen që po vjen nga studentët, opozita dhe shoqëria civile. Por mesazhi që u dëgjua edhe në Uashington; nuk ishte aspak i qartë.
Në fakt, i vetmi mesazh që mori Uashingtoni ishte: presidenti i Serbisë është i paqëndrueshëm në retorikë, pa busull të qartë strategjike, dhe përpiqet të instrumentalizojë diplomacinë amerikane për të mbuluar krizën e brendshme.
Për Shqipërinë dhe aktorët shqiptarë në rajon, kjo është një mundësi për të kuptuar dinamikën reale të Beogradit: Vuçiç nuk është më faktor stabiliteti, por i pasigurt për çdo hap që bën. Një Serbi që tenton të përdorë SHBA-në si alibi është më e dobët sesa një Serbi që përballet direkt me Perëndimin. Kjo krijon hapësira për diplomaci të zgjuar shqiptare, për të përforcuar aleancat me SHBA dhe për të ekspozuar politikën e dyfishtë të Beogradit në forumet ndërkombëtare.
Vuçiç sot është ulur në ‘hoklicën’ e vjetër, në korridoret e Shtëpisë së Bardhë, jo për të negociuar, por për të mbijetuar. Dhe kjo është më shumë një tragjedi ballkanike sesa një lëvizje strategjike. / Pamfleti
Lini një Përgjigje