Zgjedhjet do ta fundosin kryeministrin grek: Mitsotakis synon të zërë një nga postet drejtuese në Bruksel
Në rast se Ursula Von der Leyen nuk do të arrijë të sigurojë shumicën e votave në Parlamentin Evropian në zgjedhjet e ardhshme për kreun e Komisionit Evropian, kryeministri aktual i Greqisë Kyriakos Mitsotakis mund të ndërhyjë si një kandidat alternativ nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (PPE).
Por që të ketë një shans, ai duhet të fitojë së pari ndaj Emmanuel Macron. Mitsotakis mund të thotë se nuk është i interesuar për këtë post. Por në realitet, ai po krijon që nga viti 2022 terrenin për t’u bërë zyrtari i ardhshëm i lartë i BE-së.
I mbështetur nga Manfred Weber, ai është bërë praktikisht numri dy i PPE-së, duke e forcuar ndjeshëm profilin e tij në gjirin e unionit. Në fakt, vetë presidenti i PPE mund të dëshirojë që t’i japë një shans rë ri Ursula von der Leyen.
Tek e fundit, ishte ajo që e kaloi Spitzenkandidat (kandidatin kryesor) Weber 5 vjet më parë, duke u shfaqur me sa duket nga askund për t’i rrëmbyer presidencën nga duart. Tani Von der Leyen pritet të hasë jo pak vështirësi në synimin e saj për t’u rizgjedhur në detyrë edhe për një mandat tjetër.
Forcimi i pozitës së nacional-konservatorëve në mbarë Evropën, po e ndryshon ekuilibrin e pushtetit, si në Bruksel po ashtu edhe në Strasburg. Disa nga ish-mbështetësit e saj kryesorë, janë sot mosbesues në lidhje me kandidaturën e saj.
Sipas Bloomberg, presidenti francez Emmanuel Macron, që luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit Evropian 5 vjet më parë, ka hyrë tashmë në bisedime me liderët e BE-së për të gjetur një kandidat tjetër për këtë post të lartë.
Opsioni tjetër kryesor që po diskutohet aktualisht është Mario Draghi. Veterani italian duket se ka mbështetjen e Emmanuel Macron. Por kandidatura e tij mund të mos duket tërheqëse për vendet anëtare të BE-së që nuk pajtohen me pikëpamjet e tij mbi çështjen e borxhit.
Mitsotakis dhe Macron dikur ishin shumë të afërt me njëri-tjetrin.
Në vitin 2021, Greqia dhe Franca nënshkruan një marrëveshje në fushën e mbrojtjes. Athina bleu një skuadron avionësh luftarakë francezë “Rafale”, fregatat FDI, si dhe negocioi blerjen e disa anijeve korveta.
Po ashtu gjiganti francez i energjetikës, TOTAL, ishte një nga favoritët për shpimet e planifikuara në det të hapur në Zonën Ekonomike Ekskluzive në ujërat detare greke. Megjithatë, fryma e “aleancës Greqi-Francë” nuk i qëndroi kohës.
Vitin e kaluar, Greqia njoftoi blerjen e avionëve luftarakë amerikanë F35, si dhe interesin e saj për t’u bashkuar me programin e Marinës së SHBA-së për ndërtimin e fregatave. Njëkohësisht, Athina iu nënshtrua presionit të SHBA-së dhe Turqisë dhe nuk deklaroi zonat e saj detare në Mesdheun Lindor.
Madje kohët e fundit është acaruar marrëdhënia midis 2 udhëheqësve.
Në shkurt, grupi Ripërtëritja e Macron e kritikoi Mitsotakis-in në Parlamentin Evropian, duke mbështetur një rezolutë që e kritikon ashpër Greqinë në lidhje me të metat e sundimit të ligjit në vend.
Ndërkohë, disa javë më parë, presidenti francez anuloi vizitën e tij në Greqi, ku do të merrte pjesë edhe në ceremoninë e ndezjes së flakës së Lojërave Olimpike. Kësisoj kryeministri grek e kuptoi se nëse dëshiron të qëndrojë gjallë në garën për një post më të lartë evropian, atëherë duhet të rifitojë mbështetjen e aleatit të tij të vjetër.
Në një lëvizje të papritur, Greqia njoftoi muajin e kaluar blerjen e një grupi tjetër avionësh luftarakë francezë “Rafale”, hoqi dorë nga interesi i saj për ndërtimin dhe blerjen e fregatave amerikane ‘Constellation’, dhe po mendon të blejë një tjetër fregatë franceze IHD.
“Është më se e qartë se kryeministri po e përdor buxhetin e mbrojtjes së Greqisë për të ndjekur ambiciet e tij personale”- tha për ‘Bruksel Signal’, ish-drejtori i Komunikimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Andreas Papakyriakopulos.
“Dhe pikërisht për të njëjtën arsye, autoritetet greke nuk po e ngarkojnë me faj kompaninë hekurudhore italiane që drejton hekurudhat greke për aksidentin tragjik të Tempit që i mori jetë 57 njerëzve”- shton ai. Në fakt për arritjen e synimeve të tij për të marrë drejtimin e presidencës së Komisionit Evropian apo atë të Këshillit Evropian, Mitsotakis mund të ketë nevojë edhe për Giorgia Meloni.
Drejtuesja italiane e grupit ECR, pritet të ketë një rol përcaktues në zhvillimet në Bruksel pas zgjedhjeve të ardhshme evropiane. Që të gjitha sondazhet sugjerojnë se në zgjedhjet e ardhshme evropiane, partia në pushtet greke pritet të humbasë 20-25 për qind të votuesve të saj të vitit 2023. Ndaj është e kuptueshme që Mitsotakis të dëshirojë të transferohet në Bruksel. Por sipas kritikëve, ky synim e ka një kosto, dhe ajo duhet të paguhet nga taksapaguesi grekë./Pamfleti & “Brussels Signal”
Lini një Përgjigje