Editorial22 Qershor 2024, 11:43

Divorci i Metës s’ka lidhje me SPAK, por me pasuritë marramendëse

Shkruar nga Pamfleti
Divorci i Metës s’ka lidhje me SPAK, por me pasuritë
Ilir Meta /

Ka një perceptim naiv në opinion, sikur Ilir Meta po divorcohet nga Monika për çështjen e SPAK-ut.

Hetimet që po zhvillohen nga prokuroria speciale, nëse shkojnë siç po duket, në një përfundim për të shpallë të pandehur ish-bashkëshortët, një vendim divorci nuk ndikon fare te çështja penale.

Marifeti i divorceve ka lidhje pikërisht me ata që jo vetëm Ilir Meta, por të gjithë që janë nën hetim, i frikësohen më shumë, sekuestrimit të pasurive.

Divorcet janë një mekanizëm shumë i keqpërdorur nga drejtësia civile në Shqipëri, ndër krerët e krimit, por edhe biznesmenët e lidhur me pushtetin.

Shpesh kemi parë që duke u divorcuar, bëhet një rishpërndarjeje pasurish dhe aksionesh, e kështu trazohet situata me kreditë, borxhet, bankat etj.

Ilir Meta, pikërisht këtu e ka problemin, ndaj po bën të njëjtën gjë.

Por, nga ana tjetër duhet thënë se ai nuk e ka fare problemin nëse SPAK mund të sekuestrojë disa pasuri të patundshme; që mund të jetë vila e Lalzit, pallati i Fatimes apo ndonjë apartament tjetër në Tiranë a bregdet.

Gjatë inkursioneve të tij në SPAK, ku Ilir Meta, jo pa qëllim ka shkuar pa avokat, që të mos mbajë përgjegjësi nesër për ato që thotë, ka kuptuar se ata dinë dhe kanë një panoramë të të gjithë pasurisë së tij.

Pasuri, ku asetet e patundshme janë një pikë ujë në oqean, pasi bëhet fjalë për aksione dhe pjesë marramëndëse në kompani gjigande shqiptare, në kompani botërore, e biznese të ndryshme. Asete e aksione, që janë shpërndarë në skema pronësie konfidenciale, por që gjurmët janë. Divorci është mekanizëm i shpejt ligjor, ku nis shpërndarja e pasurisë sipas Kodit Civil. Pra përkatësisht pjestohet jo vetëm për 2, por edhe me numrin e fëmijëve që janë të rritur, e kanë të drejtë të marrin pjesën e tyre.

Ndërkaq, edhe në procesin penal, që sipas gjasave SPAK do ta nisë së shpejti, procedurat do të duhet të marrin një tjetër rrjedhë si pasojë e divorcit, e Meta fiton kohë.

Megjithatë, Ilir Meta nuk ka shumë problem me procesin penal, pasi atë mund ta çojë zvarrë me avokatë dhe me  partinë e tij. Ndërkaq, janë asetet ekonomike që merren menjëherë dhe ngrihen brenda ditës. Siç ndodhi me pallatet e Sali Berishës, vilën e Lalzit, por edhe të gjitha letrat e kullave të dhëndrit, apo edhe llogaritë bankare. Sikur Argita dhe Jamarbëri do të ishin të divorcuar, GJKKO nuk do të mund t’i sekuestronte të gjitha pronat menjëherë, por edhe sikur ta kishte bërë, ankimimi në të gjitha shkallët, deri në Strazburg, mund të ishte më i lehtë për të shpëtuar një pjesë të pronës. Që përveç dy bashkëshortëve, i takojnë edhe fëmijëve që kanë mbushur 18 vjeç, e nuk janë më në kujdestarinë e prindërve. Kaq e thjeshtë është e gjithë loja me divorcin, të cilin Ilir Meta e ka menduar që kur la Presidencën, ndaj sulmoi Monikën. Ai mendoi që ta mbajë miletin me këtë telenovelë, e nga ana tjetër të punojë për të shpëtuar çfarë është e mundur nga asetet e pronave, sidomos aksionet në kompani e biznese të mëdha.

Bëhet fjalë për asete marramëndëse që nga pallate, vila por mbi të gjitha ndërtesa e makineri në sipërmarrje shumë të fuqishme në vend./Pamfleti

ilir meta divorci spak pasuri marramendëse