TAGS-AT E JAVËS

Editorial10 Shtator 2025, 10:08

Doha, Pax Americana in Ruins*

Shkruar nga Gjergj Zefi
Doha, Pax Americana in Ruins*
Trump dhe sulmi i izraelitëve në Doha /

Sulmi ajror izraelit në tokën e Katarit, në kulmin e bisedimeve për paqe të ndërmjetësuara nga SHBA, nxjerr zbuluar kolapsin e autoritetit diplomatik amerikan dhe shpërbërjen e ndikimit të saj strategjik në Lindjen e Mesme...

Sulmi ajror i Izraelit në zemër të Dohas, që goditi një kompleks ku ndodheshin liderët e Hamasit gjatë një takimi për armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, nuk ishte thjesht një akt ushtarak; ishte një thikë në shpinë për diplomacinë ndërkombëtare, një dështim flagrant i administratës së Donald Trump, dhe një sinjal alarmi se SHBA nuk ka më kontroll as mbi aleatët e saj më të afërt.

Katar, një vend mik i Amerikës, me të cilin Uashingtoni mban bazën ushtarake më të madhe në Lindjen e Mesme, u bombardua në mes të ditës nga një aleat tjetër i SHBA-së, Izraeli, pa paralajmërim të qartë dhe pa respekt për sovranitetin e një shteti që po përpiqej të ndërmjetësonte paqen.

Të vetmet fjalë të Presidentit Trump ishin: “Nuk e ndihmon as Izraelin, as Amerikën.” Vonë, boshe, dhe të padobishme!

Ndërkohë që ai shkruante në Truth Social, raketat kishin ndarë trupat e viktimave në Doha. Paralajmërimi amerikan për Katarin erdhi ndërkohë që bombat binin. Turp!

Ky sulm tregon se SHBA, nën drejtimin e Trump, nuk është më as ndërmjetës, as garant, as fuqi e respektuar në skenën globale. Është një spektator i hutuar që nuk komandon më as aleatët, dhe nuk pengon dot aktet që destabilizojnë planet e saj strategjike.

Izraeli goditi në mes të bisedimeve për armëpushim. Në tavolinë ishte propozimi për lirimin e pengjeve dhe për një ndërprerje zjarri të mbështetur nga vetë Shtëpia e Bardhë. Dhe SHBA-ja, në vend që ta parandalonte, u mjaftua me një komunikatë si të ishte një OJQ e pafuqishme.

Administrata Trump ka dështuar të lexojë momentin gjeopolitik. Në vend që të konsolidojë rolin e Amerikës si arkitektja e paqes, është shndërruar në një aktor i painformuar, që më shumë ndjek ngjarjet se sa i udhëheq ato. Ky incident është shembulli më brutal që tregon se “America First” në politikën e jashtme është në fakt “America Out”. SHBA është jashtë skenarëve, jashtë kontrollit, jashtë besimit ndërkombëtar.

Përballë këtij turpi, bota hesht nga frika, ndërsa Amerika po e humbet kredibilitetin çdo orë.

Reagimi i Katarit, dënimi nga BE, Mbretëria e Bashkuar, OKB-ja dhe Lidhja Arabe janë dëshmi që bota po riorientohet në një rend të ri ku SHBA nuk është më lider. Nëse një aleat si Katari mund të bombardohet në mes të bisedimeve që udhëhiqen nga SHBA-ja, atëherë çfarë vlere ka garancia e Uashingtonit?

Kjo nuk është vetëm një krizë e momentit, por një simptomë e një dështimi të thellë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e Donald Trump, nuk janë më të afta të mbrojnë rendin ndërkombëtar. Ai që dikur u quajt “komandanti i botës së lirë”, sot është një President që shkruan statuse në rrjete sociale, ndërsa paqja digjet në flakët e mungesës së autoritetit të tij.

Nëse ky është modeli i diplomacisë së re amerikane, atëherë bota është e vetmuar përballë kaosit. Dhe ky kaos nuk nis në Gaza, as në Tel Aviv, as në Doha, nis në Uashington. Më saktë, në zyrën ovale që është shndërruar në hije të vetëvetes./Pamfleti

* Doha, Pax Americana in Ruins- Doha, pax americana në rrënoja

doha pax americana in ruins kolapsi i autoritetit diplomatik amerikan

Lini një Përgjigje

Editorial