
Macron në mbijetesë, Franca në revoltë; ndërsa Evropa dridhet nga krizat që po vijnë...
Franca, një nga shtyllat tradicionale të demokracisë perëndimore, është zhytur në një krizë të rrallë që nuk është thjesht politike, por ekzistenciale.
Rrëzimi i qeverisë Bayrou nuk është një ngjarje e zakonshme parlamentare, është një alarm i fuqishëm për një sistem në terësi.
Në një vend me histori republikane dhe stabilitet institucional, kur një kryeministër rrëzohet me votë mosbesimi nga një parlament pa shumicë dhe pa vizion, nuk kemi të bëjmë me një krizë qeveritare, por me një dështim sistemik të kontratës politike midis udhëheqjes dhe popullit.
Bayrou dështoi jo vetëm si lidership, por si simbol i asaj teknokracie arrogante që kërkon të shpëtojë ekonominë me “shtërngim rripi”, pa dëgjuar krismat e rrugës. Ndërsa borxhi publik shkon në mbi 114 % të PBB-së dhe deficiti tejkalon çdo normë, establishmenti kërkon “unitet” nga një popull që nuk ka më as besim dhe as durim.
Presidenti Macron, që dikur u shfaq si “Merkeli mashkull” i Francës, sot duket më shumë si një administrator krize, i mbyllur mes rivalëve politikë dhe partnerëve të frustruar europianë.
Kush do ta ndalë rrëshqitjen e Francës në kaos?
Në horizont nuk ka vizion, ka vetëm kalkulime politike për të mbajtur pushtetin. Protestat rriten, ekstremet rriten, radikalët zgjohen, ndërsa qendra politike tretet si kripa në ujë. Një qeveri e re mund të lindë, por pa legjitimitet real. Dhe nëse Macron vendos t’i shkojë rrugës së referendumit apo të dorëheqjes, do të kemi përsëritje të vitit 1969, por këtë herë pa një De Gaulle.
A është kjo Franca që dikur eksportonte revolucione, ideale dhe civilizim?
Sot, eksporton pasiguri.
Kjo krizë nuk është vetëm franceze. Është një paralajmërim për Italinë, Gjermaninë, Spanjën, dhe ndofta edhe për Ballkanin. Sepse kur sistemi përplas interesat e elitës me realitetin e popullit, skenat e Parisit mund të bëhen skena të Brukselit, të Athinës... apo edhe të Tiranës./Pamfleti
Lini një Përgjigje