Editorial12 Shkurt 2024, 18:02

Edi Rama si Stalini: Pas meje kiameti!

Shkruar nga Pamfleti

 

Edi Rama si Stalini: Pas meje kiameti!
Edi Rama /

 Edi Rama, hijena që ha këlyshët e vet…

Duhet shtuar këtu edhe si Saliu, pasi Berisha është tëpkë fotokopja e tiranëve që mbysin çdo zë që reflekton një panoramë ndryshme nga një lider i kalçifikuar.

Mund të shtonim edhe Enver Hoxhën, por në realitet, ai  dogji me zjarr e me hekur njerëz të nivelit të lartë; si Beqir Balluku e kupola ushtarake, Todi Lubonja e Fadil Paçrami, Kiço Ngjela, Koço Theodosi, e Abdyl Këllezi, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, madje edhe Haxhi Lleshin, vetëm e vetëm që t’i shtronte rrugën Ramiz Alisë, në vazhdën e pushtetit të tij.

Edi Rama, deri tani ka shembur gjithë ato personazhe, të cilët janë ngritur ose kanë fituar terren në hapësirën politike që vetë Rama ua ka dhënë.

I pari nga të gjithë, ishte Saimir Tahiri, i cili mori përsipër gjëra që sot askush prej klubit të Asamblesë të heshtur të PS-së as nuk do t’i çonin ndërmend. Mori përsipër reformimin e policisë, pastrimin e Lazaratit të kanabisit apo edhe imazhin e një policie që nuk kishte lidhje me njerëzit. E siç dihet, Tahirin, Rama e mori deri në Shtëpinë e Bardhë, por që pak ditë pas kthimit, e nxori si dash kurbani përballë dy ujqve të vjetër të politikes shqiptare: Ilir Metës, që e kishte aleat e bashkëpunëtor, dhe Sali Berishës.

Jua dha Saimir Tahirin si një kurban për ta shqyer, që të mos i afrohen Bablokut. Njëjtë ndodhi më pas, me Fatmir Xhafën, për të cilin e dinte historinë me të vëllain, përhapi fabulën se e duan amerikanët, se është kryetar i reformës. Kur Xhafaj, edhe pse bëri reformën ishte realisht një lojtar politik e privat siç kishte qenë, e siç normalisht janë të gjithë. Nëse ka probleme paligjshmërie i zgjidh drejtësia. Ja dha sërish Xhafajn si kurban opozitës, siç ua dha Sandër Lleshin më pas vetëm për të shpëtuar pushtetin e tij.

Por lista vazhdon e gjatë, sepse po me të njëjtën logjikë, ofroi kurban Arben Ahmetajn, njeriun më të afërt të tij për vite e vite, dhe sot po ofron Erion Veliajn e Belinda Ballukun. Apo edhe Olta Xhaçkën, fundi i fundit, e personazhe të tjera. Të gjithë këto, jo vetëm i ka zgjedhur, por kanë qenë pjesë e stafit të tij të ngushtë.

Asambleja e fundit e PS-së ishte një skandal, sepse Edi Rama nuk do të përballet me një rekord politik të Erion Veliajt, i cili ka kaluar kufirin e vetë atij, jo vetëm se ka marrë 3 mandate në Tiranë, por ka arritur diferencën që asnjëherë vetë kryeministri nuk e ka ëndërruar. Mbi 40 mijë deri në 60 mijë vota më shumë se PD në bashkinë Tiranës.

Edi Rama, maksimumi ka arritur në 12 mijë vota diferencë. Veliaj e ka kaluar rekordin e Ramës, e kjo e ka bërë Bablokun të palogjikshëm; xheloz, inatçor. Si Stalini me Zhukovin e shkretë që e degdisi në Mongoli dhe e thirri kur Hitleri po i merrte Moskën e Stalingradin.

Edi Rama është sot lideri i NATO-s që ka më shumë vite në pushtet se të gjithë kolegët e tij, përjashtuar dy persona: Erdoganin dhe Viktor Orbanin. Të cilët i ka miq por edhe aleatë.

Po ndërsa edhe Orban e Erdogan i kanë projektuar pasardhësit e tyre, Rama po i godet të gjithë.

Kështu bëri me Ditmir Bushatin, Erion Veliajn, Belinda Ballukun. Dhe pse ndodh kjo?

Kjo ndodh ngaqë Edi Rama nuk do njerëz, por do skllevër; nuk do lojtarë por do eunukë; nuk do politikanë, por thjesht figurina. Edhe Stalini qëndroi 30 vjet...

Edi Rama mendon se jo vetëm mund të vazhdojë në politikë, dhe kjo është normale, por mund të shkatërrojë jetë e karriera vetëm për lavdinë e tij.

Lavdia e Ramës, nëse mund të konsiderohet e tillë nga disa, nuk është e tillë për shumicën. Ai nuk është udhëheqësi që shqiptarët duan. Por, duket se Bablokut nuk i intereson shumë përceptimi popullor. Ai kërkon një jetë me zor, me të edhe pa të, madje po thotë se pa mua bëhet qameti. E këtë ia ka bërë të ditur të gjithëve në Asamblenë e fundit të PS-së, ku ka sulmuar këdo që ka rezultate, madje edhe Elisa Spiropalin. Të cilën vetëm për fitoren në Shkodër dhe për aksesin që Elisa ka siguruar në komunitet, duhet ta ilustronte me një zhvillim politik.

Nuk e bëri! Pse? Sepse Edi Rama nuk ka lidhje me partinë e me njerëzit që e votojnë, por me klanet e brendshme të tij. Ai do pushtetin. E për këtë, duhet kundështuar, madje me forcë, duke përkrahur çdo kënd që edhe pse mund të jetë mëkatar, guxon e kundërshton këtë njeri që po na sjell Stalinin pas 30 vjetësh…/Pamfleti

edi rama stalini pas meje kiameti