TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Maj 2023, 10:05

Epilogu i bullizmit të Kryeministrit më 14 maj

Shkruar nga Pamfleti
Epilogu i bullizmit të Kryeministrit më 14 maj
Edi Rama që ia dëgjon këngën vetes...

Rasti i Mirditës, kur kreu i PS-së së Rubikut bëri thirrje për të votuar kandidatin e Foltores, apo ai i Sarandës ku ish-kreu i PS-së për degën është kandidat i pavarur, janë shenja të qarta të një situate orteku brenda PS-së.

Edi Rama e ka ndërmarrë me një plan të qartë fushatën me retorikën më të egër ndaj dy kundërshtarëve kryesorë politikë të tij, por edhe kandidatëve të tyre.

Pas cilësimit “zorrë qorre”, kryeministri ka vijuar me “gërdalla” e “Salike Floriri”. Cilësimin me zhargon e hoqi menjëherë pasi i erdhën sinjalet se ky fjalor do të acaronte jo vetëm pjesën më radikale që mbështet Berishën, por edhe pjesën  që nuk e pëlqen atë në elektoratin opozitar. Madje sinjalet e para erdhën se rrezikoheshin në rresht të gjitha bashkitë e veriut, madje edhe zona si Durrësi e Elbasani.

Gjithsesi, edhe pse nuk po e përdor më “apendicitin politik” të Shqipërisë, Rama vijon me të njëjtën përqendrim bullizmi, jo vetëm ndaj dyshes rivale, por edhe ndaj kandidatëve përkatës, ndaj të cilëve nuk ka asnjë kufi gjuhe: budalla, dru, gdhë, mashtrues e të tjera të këtij lloji…

Ky arsenal sharjesh, ka vetëm një qëllim; heqjen e vëmendjes nga llogaridhënia për punët që maxhoranca ka kryer këto 10 vjet, si dhe në të gjitha bashkitë e vendit që i kontrollon prej korrikut 2019.

Epilogu i bullizmit të Kryeministrit më 14 maj

Ndërkaq, targeti strategjik i Edi Ramës, është që të dobësojë sa më shumë me anë të fuqisë së pushtetit Sali Berishën dhe Ilir Metën, duke mbajtur të palëvizur ose pak të lëvizur grupin e votave që PS mori më 25 prill të vitit 2021. Megjithatë, siç ka thënë Niçe: “Ajo që nuk të vret, të forcon”, ekziston mundësia se pikërisht kjo mënyrë e të bërit fushatë nga Edi Rama, të forcojë edhe më shumë koalicionin e dinozaurëve të politikës shqiptare. Të cilët, edhe nëse zvogëlohen, pra nuk marrin atë masë votash që opozita i mori para 2 vitesh në zgjedhjet e përgjithshme, kanë të gjitha mundësitë të mbesin fort në terrenin politik. E kjo ka ndodhur vetëm nga faktorizimi që i ka bërë Edi Rama Sali Berishës dhe Ilir Metës, duke i pasur në epiqendër të sulmeve të veta.

Disa herë, Rama ka premtuar se nuk do të merret fare me ‘Non Grata’-n dhe aleatin e tij. Ç’ka do ishte mjaft logjike e normale, ku fushata të zhvillohej qetë dhe me një ton konstruktiv, bazuar mbi planet dhe projektet. Fiks si ajo që Benet Beci po zhvillon në Shkodër, e që sipas sondazheve po jep efektet e veta. Mirëpo kryeministri, është i frikësuar nga një rrëshqitje terreni në militancën socialiste, e cila është e pakënaqur si në nivelin e qeverisjes kombëtare, por edhe nga kandidatë të veçantë, që janë aktualisht krye bashkiakë.

Rasti i Mirditës, kur kreu i PS-së së Rubikut bëri thirrje për të votuar kandidatin e Foltores, apo ai i Sarandës ku ish-kreu i PS-së për degën është kandidat i pavarur, janë shenja të qarta të një situate orteku brenda PS-së.

E me “rrezikun kombëtar të ‘Non Grata’-”, Rama synon të mbajë fort zgjedhësit besnikë të majtë, kryesisht pensionistët e administratën për të mos lëvizur shumë. Ndërkaq, faktorizimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe injorimi i opozitës së PD-së zyrtare, nuk është gjë tjetër veçse politika e ndjekur prej dy vitesh. Ndaj edhe Tom Doshi që është ‘Non- Grata’ si Berisha, është më aktiv e faktor se dy vjet më parë kur dha dorëheqjen nga frika e SHBA-së. Po ashtu edhe Vangjush Dako në Durrës, e Qifja në Peqin, janë forcuar, së bashku me strukturat e tyre të nëntokës, si dhe bizneset kriminale, ku në krye janë lojërat e paligjshme të fatit. Policia as nuk merr mundimin t’i godasë këto biznese, që po lulëzojnë, madje kreu i bashkisë së Pogradecit foli hapur me Ramën në krah, se fitorja e tij do të ishte “gol- gol plus 2”.

Pas 14 majit, Berisha e Meta, edhe pse mund të marrin pak bashki, do të kenë çimentuar një copë të mirë elektorati, që do ta përdorin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ç’ka është edhe synimi më i rëndësishëm politik i “Bashkimit për Fitore”./Pamfleti

bullizmi edi rama 14 maji zgjedhjet vendore

Lini një Përgjigje

Editorial