Editorial16 Shkurt 2024, 11:48

‘Koka në Stamboll e trupi në Uashington’

Shkruar nga Gjergj Zefi
‘Koka në Stamboll e trupi në Uashington’
Edi Rama /

Si do ta zgjidhë Edi Rama ngërçin që ka krijuar mes Lindjes dhe Perëndimit dhe cili do të jetë fati i tij?

Edi Rama do të kishte preferuar të rrinte në Bruksel të enjten e 15 shkurtit. Vizita e mbajtur sekret deri në minutën e fundit, e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, nuk ishte në kohën e duhur për Kryeministrin shqiptar. I mësuar të kurv*rojë herë në Lindje e herë në Perëndim, megjithë përkrahjen që amerikanët i kanë dhënë pa hesap e pa doganë, Rama do të kishte dashur që agjenda e Brukselit të përbënte alibi. Por një Sekretar Shteti në Tiranë nuk është një ngjarje që ndodh çdo ditë dhe Rama asesi nuk i bënte dot bisht. Prandaj si pulë e bindur i hipi avionit dhe erdhi fiks në orar në takim.

Por si do ta zgjidhë Edi Rama ngërçin që ka krijuar mes Lindjes dhe Perëndimit? Përtej aludimeve dhe komenteve gjithefarësoj,  Antony Blinken erdhi në Tiranë për t'i marrë firmën Edi Ramës për uzinat e prodhimit të armëve në Mjekës e Gramsh, të cilat duhen urgjentisht për tregun e luftës që Evropa e ka në skaj.

Pas bazës ajrore të Kuçovës, dihej se kjo do të ishte lëvizja amerikane e radhës. Por Rama ndërkohë ka flirtuar rëndë edhe me Erdoganin, Pashain e lindjes, i cili e ka zgjidhur qesen dhe koshin e përfitimeve për Kryeministrin shqiptar, bujarisht. Në këmbim Erdogani i ka vënë kushtet e veta Ramës dhe ky e ka gëlltitur atë lugë çorbë...

Pashai i Lindjes nuk i do bazat amerikane në Shqipëri sepse i prishin planet, qoftë në politikat e brendshme me kurdët, qoftë në planet ekspansioniste në rajon. Erdogani e do fuqinë për vete dhe shtegu shqiptar ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm për të. Ai e ka lejuar Edi Ramën ta përdorë sa herë ky i fundit e mbushte kupën dhe për ti shpëtuar ndëshkimit të Perëndimit, luante kartën e Lindjes. Erdogani e ka lejuar, sa herë që ky ka dashur, t'i japë mesazhe Evropës që Shqipëria mund të ndryshojë anë, se Turqia e pret krahëhapur dhe e përkrah sa herë duhet.

Prandaj situata është e vështirë dhe Rama gjendet në udhëkryq. Ai do të luajë me dy porta, por tashmë kjo formulë e tij, jo vetëm që nuk pi më ujë, por po kthehet në lojë të rrezikshme.

"Një udhëheqës i shquar dhe Kryeministër shumë i mirë" e cilësoi Blinken, Edi Ramën dhe ky përbën një mesazh të rëndësishëm. Bota është në një moment të vështire dhe loja me dy porta, për një kryeministër të zhytur deri në fyt siç është Edi Rama, janë një luks i tepërt. Për këtë arsye ai dje qëndroi si ‘pulë’ përpara Blinken. Pa buzëqeshjen dhe lavdinë që zakonisht i vesh vetes në pritje të tilla.

Për më tepër që sot i duhet të udhëtojë në Ankara. Me të njëjtën përulje, Rama duhet të justifikohet tek "Asi nën mëngë" që dje e tradhtoi. Se si do ta gjejë formulën të marrë me të mirë Ergodanin, e di ai. Por zgjidhje tjetër nuk ka. Ndoshta kështu shpëton ndonjë copë nga nderi qe e ka humbur me kohë./Pamfleti

koka në stamboll trupi në uashington

Editorial